Zbardhja e vrasjes së Fatos Cenajt, shqiptarit të ekzekutuar në 8 qershor në Fontanica të Italisë, do të hetohet nga ekspertët e policisë së Parmës.
Një pritë hakmarrjeje apo një e shtënë aksidentale e realizuar nga një shtëpi ose nga pylli në Via Casoni, janë pistat ku priten të përqëndrohen hetimet.
Cenaj, një ish-gardian burgu në Shqipëri, i cili kishte dalë në pension prej dy vitesh dhe ishte bashkuar me gruan e tij në Fontaniva, humbi jetën në rrethana misterioze.
Një ekspertizë balistike pritet të hedhë dritë mbi vrasjen e 59-vjeçarit shqiptar, i cili u godit me një plumb në kokë.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar se plumbi i hyri nga pas veshit të majtë dhe i doli sipër vetullës së djathtë.
Në vendin e ngjarjes nuk u gjet gëzhoja, ndërsa autopsia nuk mundi të sqaronte llojin e armës që qëlloi. Kjo është arsyeja që vrasja e 59-vjeçarit është marrë në dorë nga karabinierët e Parmës, që do të duhet të përcaktojnë edhe trajektoren e të shtënave.
Në ditën kur ndodhi krimi, 59-vjeçari po shkonte me biçikletë në punë në një stallë kuajsh jo shumë larg shtëpisë së tij, ndërsa autori i dyshuar është zhdukur brenda pak minutash nga vendi i ngjarjes.
Tashmë raporti balistik duket se është e vetmja shpresë për të përcaktuar dinamikën e vrasjes.









