Një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale ka shkaktuar reagime të shumta, pasi shfaq sulmuesin e Oldham Athletic, Kian Harratt, teksa godet me një karrige një turiste britanike gjatë një sherri pranë një pishine në një hotel në Ibiza.
Sipas mediave britanike, përplasja ndodhi më 21 qershor, kur Harratt dhe tre miqtë e tij akuzohen se u sollën në mënyrë të pahijshme ndaj një grupi grash turiste. Turisti britanik Kyle Crawford tha për “The Sun” se 23-vjeçari dhe shokët e tij “po silleshin keq” me gratë përpara se situata të përshkallëzohej në dhunë.
🔊
Në dy video të publikuara në rrjet, njëra duket se tregon momentin kur futbollisti i identifikuar nga pamja me mjekër karakteristike dhe veshur me pantallona të shkurtra të zeza hedh një karrige në drejtim të njërit prej pushuesve.
Kyle, i cili ndërhyri bashkë me mikun e tij për të mbrojtur gratë, tha: “Nuk e dinim kush ishin. Thjesht pamë që po silleshin keq dhe ngritëm zërin për të mbrojtur vajzat. Kj video nuk e tregon plotësisht situatën ne thjesht u sollëm si zotërinj.”
Më pas, ai e identifikoi Harratt-in, pasi e pa sërish videon. Sipas tij, futbollisti dhe shokët e tij ishin duke hedhur topa të vegjël rugby-je drejt grave në pishinë, njëra prej të cilave më vonë u godit edhe nga karrigia.
Kian Harratt, 23 vjeç, është sulmues i Oldham Athletic në League Two. Ai është me origjinë nga Pontefract dhe ka qenë pjesë e akademisë së Huddersfield Town, ndërsa ka luajtur më parë edhe me Leeds United, Barnsley, Fleetwood, Bradford dhe Port Vale. Në vitin 2024, ai u pezullua për katër muaj pasi kishte vendosur 484 baste për ndeshje futbolli, përfshirë edhe për ekipin e tij. Për shkeljet, u gjobit me 3,200 paund.
Deri në momentin e publikimit, klubi Oldham Athletic nuk ka reaguar zyrtarisht për incidentin.









