Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka komentuar të premten aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se vendimi i saj është në përputhje me qëndrimin që Qeveria ka mbajtur që nga mesi i prillit.
Murati deklaroi se vendimi nuk e cilëson si antikushtetues votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit, duke mohuar interpretimet që po jepen nga opozita.
“Po besoj që dje aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese i cili rithekson atë çfarë është thënë në aktgjykimin e vitit 2014, por edhe në atë çfarë kemi thënë nga 15 prilli, vetëm sa i rikonfirmon që në vazhdimësi pozicioni ynë ka qenë parimor dhe ka qenë i bazuar në aktgjykimin dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Murati.
Ai theksoi se në përmbajtjen e vendimit nuk ka asnjë konstatim që e shpall votimin e fshehtë si të papajtueshëm me Kushtetutën.
“Te konstatimet i kemi dy pika, në asnjërën prej tyre Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë që votimi i fshehtë është në kundërshtim me Kushtetutën, siç po tentohet të prezantohet gabimisht dhe rrejshëm nga opozita. Në asnjë pikë të këtij vendimi nuk thuhet një gjë e tillë”.
Murati tha se kjo e vërteton qasjen e tyre parimore dhe refuzoi pretendimet që përfaqësuesit opozitarë kanë artikuluar në publik.








