Në reagim ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka ftuar të gjithë krerët e subjekteve politike në legjislaturën e nëntë për një takim të përbashkët.
Takimi do të mbahet të shtunën në orën 16:00 dhe ka për qëllim të kërkojë konsensus për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se obligimi për këtë proces është përgjegjësi e të gjithë deputetëve dhe jo vetëm e subjektit të parë.
Postimi i plotë:
Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit.








