Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se për Serbinë pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Shteteve Amerikane (OSHA), ku ishte e pranishme si vëzhguese, “është shumë e rëndësishme”, si për bashkëpunimin ekonomik, ashtu edhe për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Gjuriqi ka shtuar se Serbia në Antigua dhe Barbuda, ku po mbahet samiti, flet “me një zë shumë të qartë për respektimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe për nevojën që shtetet, pavarësisht madhësisë së tyre, të kenë të drejtën të zhvillojnë në mënyrë të lirë politikën e tyre të brendshme dhe të jashtme”.
“Është e rëndësishme të kemi mbështetje thelbësore nga vendet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku merren vendime edhe për Kosovën”, ka pretenduar Gjuriqi, duke shtuar se “një përparësi krahasuese për Serbinë është rrjeti i gjerë i miqësive jashtë kontinentit evropian”.
“Këtu janë mbledhur shumë vende që janë kundër luftës, shumë vende që mbështesin respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit, si të Serbisë, ashtu edhe të të gjitha shteteve në botë. Këtu janë shumë vende që mendojnë në mënyrë të ngjashme me ne për sfidat dhe problemet globale”, ka përfunduar Gjuriqi.










