Gjatë një aksioni të Policisë Çeke kundër një grupi të dyshuar për terrorizëm dhe ekstremizëm, janë vërejtur edhe emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Çeke, hetimet ndaj këtij grupi nisën në gjysmën e parë të vitit 2024 nga Qendra Kombëtare për Luftën Kundër Terrorizmit, Ekstremizmit dhe Krimit Kibernetik (NCTEKK).
Grupi përhapte përmbajtje urrejtjeje dhe promovonte organizata terroriste, përfshirë Shtetin Islamik (ISIS), në rrjete sociale si Instagram, Telegram dhe TikTok.
Të dyshuarit u përqendruan gjithashtu në përhapjen e urrejtjes kundër minoriteteve dhe komunitetit LGBTQ+.
Hetuesit zbuluan se disa prej të dyshuarve vepronin nga vende të ndryshme si Republika Çeke, Sllovakia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar.
Si rezultat i operacionit, pesë persona u arrestuan në periudhën shkurt-qershor 2025. Dy prej tyre janë akuzuar për mbështetje të terrorizmit, nxitje të urrejtjes dhe planifikim të një sulmi terrorist. Njëri prej tyre ndodhet aktualisht në paraburgim.
Një pjesë e hetimit zbuloi se më 29 janar 2024, dy persona kishin tentuar të digjnin një sinagogë në qytetin Brno, duke përdorur një pajisje të improvizuar ndezëse. Një tjetër person dyshohet se kishte krijuar grupe online me qëllim rekrutimi për organizatën terroriste Haya’at Tahrir al-Sham në Siri.
Gjatë bastisjeve në shtëpitë e të dyshuarve, janë sekuestruar armë të ftohta, pistoleta me gaz, pajisje ushtarake, sende me tematikë fetare dhe disa materiale që mbanin simbole si ato të UÇK-së.
Hetuesit janë të shqetësuar edhe për moshën e të dyshuarve ku shumica janë nën 18 vjeç, përfshirë edhe të mitur nën 15 vjeç.
Operacioni është kryer me mbikëqyrjen e prokurores publike Petra Lastovecká dhe me përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare si EUROPOL, EUROJUST, si dhe agjencive partnere nga vendet e përfshira.
Sipas autoriteteve, ndonëse ky rrjet është shkatërruar, rreziku nga grupe të ngjashme mbetet i lartë.









