Delegacioni i Listës Serbe, në bisedime me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe zëvendëskomandantin e KFOR-it, theksoi nevojën për veprim urgjent nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, kthimin në gjendjen e mëparshme dhe parandalimin e “lëvizjeve të reja të njëanshme” të drejtuara nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç thuhet në një njoftim.
“Ne kërkuam një prani më të madhe të forcave të KFOR-it në veri të Kosovës dhe mbrojtjen e popullatës serbe, e cila është nën sulmin e regjimit në Prishtinë dhe përfshirjen e të gjithëve për të ruajtur paqen në këto zona. Nënvizuam qartë se inkursioni i djeshëm kërcënoi drejtpërdrejt punën e mijëra serbëve, si dhe ofrimin e shërbimeve për dhjetëra mijëra serbë dhe qytetarët e tjerë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Thuhet se përfaqësuesit e Listës Serbe kanë përsëritur kërkesën dhe pritjen që ura kryesore në Ibër të mos hapet sepse, siç kanë vlerësuar, është një pikë neuralgjike që mund ta përkeqësojë edhe më shumë situatën e brishtë të sigurisë.
“Ne presim sjellje të përgjegjshme nga të gjithë aktorët për të ruajtur paqen”, theksohet në deklaratë.
“Përfaqësuesit e QUINT-it përsëritën qëndrimin e shprehur në deklaratën e tyre të mbrëmshme, se në asnjë mënyrë nuk e kanë përkrahur veprimin e djeshëm të njëanshëm të institucioneve të Kosovës. Se këto veprime janë kryer pa koordinim me ta dhe se presin që të gjitha çështjet të zgjidhen përmes dialogut të menaxhuar nga Bashkimi Evropian. Ata ritheksuan se për shkak të veprimeve të njëanshme, në Kosovë janë futur masat e duhura dhe janë ende në fuqi”, përfundon komunikata.








