Kryetari aktual i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka njoftuar zyrtarisht se ka pranuar rikandidimin për një mandat të ri në krye të komunës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Përmes një deklarate publike, Ferati ka falënderuar strukturat e Degës së LDK-së në Istog për besimin e dhënë, duke theksuar se angazhimi i tij do të vazhdojë në frymën e bashkëpunimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të komunës.
“Me nderin më të madh, sot pranova rikandidimin për Kryetar Komune nga Dega e LDK-së në Istog – nga dega me sukseset më të mëdha në nivel Republike. Zotimi ynë është puna jonë, betimi ynë është shërbimi për Ju!”, ka deklaruar Ferati.
Ai ka njoftuar se shumë shpejt do të prezantohet konventa e programit të ri për Istogun, e cila do të përfshijë projektet zhvillimore të ndërtuara mbi nevojat dhe vizionin e qytetarëve.
“Lista jonë kandiduese do të jetë zëri juaj – aty ku do të përfaqësohen vlerat dhe idetë tuaja. Dyert tona janë të hapura, LDK-ja është shtëpia jonë e përbashkët – trashëgimia jonë e përbashkët – besatimi shumëvjeçar i Istogut,” ka shtuar ai.
Në përfundim të njoftimit të tij, Ferati është shprehur i bindur se Istogu do të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe progresit.









