Presidenti Donald Trump ka hedhur poshtë raportet e inteligjencës amerikane që sugjerojnë se goditjet ajrore ndaj kompleksit bërthamor iranian në Fordow vetëm “e kanë vonuar” programin bërthamor të Teheranit dhe jo e kanë “zhdukur” atë.
Në konferencën e shtypit pas Samitit të NATO në Hagë, i pyetur nga një gazetar për vlerësimin e hershëm të shërbimit sekret, i cili pohon se objektivi nuk është asgjësuar plotësisht, Trump tha: “Ata nuk e panë, gjithçka që mund të bëjnë është të hamendësojnë. Zjarri dhe squfuri janë nën tokë. E gjithë zona është e zezë nga flakët.”
Duke këmbëngulur në narrativën e tij, Trump deklaroi përsëri: “Materiali bërthamor është zhdukur. Thjesht prisni deri sa të dihet e vërteta.”
Gazetari shtoi një pyetje direkte: “Çfarë mesazhi keni për komunitetin e inteligjencës, lidhur me informimin e papërpunuar?” – Trump u përgjigj shkurt: “Prisni derisa ta dini përgjigjen.”
Në atë moment, Trump ftoi Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth të fliste. Ky i fundit lëshoi kritika të ashpra ndaj CNN dhe New York Times, duke i akuzuar se “e shtrembërojnë qëllimisht informacionin për të dëmtuar Trump-in dhe vendin”.
“Spiunët që rrjedhin informacion kanë agjenda. Të gjitha provat e bombardimeve janë të varrosura nën një mal”, u shpreh Hegseth, duke përsëritur pretendimet për fitoren totale ndaj programit iranian.
Më tej Hegseth, sulmoi drejtpërdrejt raportin e shërbimeve sekrete amerikane. “Raporti është klasifikuar si me ‘besueshmëri të ulët’ sepse të gjitha provat janë të varrosura nën një mal, të shkatërruara dhe të zhdukura”, tha ai.
Duke iu referuar objektivit në Fordow, Hegseth tha me ironi: “Nëse doni të bëni një vlerësim për atë që ndodhi në Fordow, merrni një lopatë dhe gërmoni shumë thellë.”
Ai vijoi: “Kjo është arsyeja pse Irani u ul menjëherë në tryezën e bisedimeve, sepse kapacitetet e tyre janë shtyrë prapa më shumë nga sa ata vetë e kishin menduar ndonjëherë. Kjo, falë guximit të një komandanti suprem që udhëhoqi trupat tona, pavarësisht çfarë thotë ‘fake news’.”
Vetëm një ditë më parë, CNN zbuloi një raport të brendshëm të inteligjencës amerikane, ku ekspertët shprehin dyshime të mëdha nëse goditjet amerikane arritën realisht të çaktivizojnë objektivat kyçe të Iranit. Sipas raportit, sulmet e fundit nuk kanë prekur elementët më të ndjeshëm të programit bërthamor, dhe asnjë provë e pavarur nuk vërteton që objektivi në Fordow të jetë shkatërruar plotësisht.






