Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart suksesin e kompanisë “Koshi Group” nga Prizreni, e cila ka arritur të prodhojë anije dhe mjete të tjera lundruese të standardeve më të larta ndërkombëtare.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Presidentja Osmani ka theksuar se produktet “Made in Kosova” po tregtohen me sukses në tregjet ndërkombëtare, duke përfshirë automjete elitare sportive, barka dhe jahte moderne. Ajo e ka cilësuar këtë arritje si dëshmi të potencialit të jashtëzakonshëm të sektorit privat kosovar, inovacionit dhe mjeshtërisë vendore.
“Një sukses i jashtëzakonshëm e inspirues nga Koshi Group në Prizren, një simbol i vërtetë i inovacionit dhe mjeshtërisë, krenarisht i bërë në Kosovë,” ka shkruar Presidentja Osmani. “Kur talenti kosovar bashkohet me punën e palodhshme dhe inovacionin, nuk ka kufi për atë që mund të arrihet.”
Kompania “Koshi Group” operon në industrinë e ndërtimit të mjeteve të transportit luksoz dhe eksporton produktet e saj në tregje të ndryshme të botës, duke promovuar emrin dhe kapacitetet prodhuese të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së ndërmarrjeve të tilla inovative dhe të suksesshme, të cilat përveç krijimit të vendeve të punës, kontribuojnë në përmirësimin e imazhit ekonomik të vendit.








