Legjenda e komentimit dhe e basketbollit, Agim Kasapolli, ka marrë vendim të papritur.
Kasapolli përmes një postimi në facebook ka sqaruar se më nuk do të jetë pjesë e asnjë debati televiziv duke dhënë arsyetimin e tij.
“Dekadenca e emisioneve sportive në Kosovë – Cirku mediatik i çdo të diele
Pas shumë vitesh si komentatori më i moshuar dhe një ndër më të përkushtuarit në hapësirën shqiptare të sportit, kam vendosur të tërhiqem përfundimisht nga pjesëmarrja në emisionet dhe debatet televizive sportive.
Kjo nuk është një vendim i lehtë, por është i domosdoshëm. Shkaku? Degradimi i thellë që ka përfshirë këto emisione, të cilat më shumë i shërbejnë çoroditjes së opinionit sesa zhvillimit të tij.
Ajo që ndodh çdo të diel në televizionet kosovare nuk është analizë sportive, por një teatër i neveritshëm banaliteti dhe injorance – një festë dekulturimi kombëtar ku sporti shërben veç si pretekst për të ngritur në piedestal mediokritetin dhe gënjeshtrën.
Rreth 12 televizione nacionale kabllore, secila me “emisionin” e vet sportiv, mbushin ekranet me dhjetëra analistë të vetëshpallur që vështirë i dallon nga njëri-tjetri: të gjithë flasin shumë, dinë pak, e bërtasin si të ishin në stadium, jo në studio. Moderatori? Zakonisht një figurë pa përgatitje, pa gjuhë, pa etikë, që nuk di as ta drejtojë debatin, as të bëjë një pyetje normale, përveç ndonjë batute të ndytë që çalon në dy këmbë.
Pjesëmarrësit – një turmë njerëzish që shfaqen nëpër studio si të ishin pronarë të së vërtetës: ish-lojtarë anonimë, trajnerë të dështuar, referë me më shumë gabime se ndeshje të arbitruara, madje edhe politikanë, imamë, profesorë “sporti”, që s’dinë të analizojnë as një out, por japin mend për taktikën e Guardiolës. E turpshme!
Këta “ekspertë” që gjatë karrierës s’kanë bërë asgjë për t’u mbajtur mend, sot shfaqen në televizion si autoritete të pathyeshme, që kritikojnë trajnerë të ekipeve me trofe ndërkombëtare, ndërsa vetë s’kanë menaxhuar dot një stërvitje pa prishur dy topa. Janë kthyer në manipulues të opinionit publik, që mbështillen me tituj fallco e CV të stisura, dhe nuk ngurojnë të shkelin çdo logjikë për të mbështetur klubin apo interesin e radhës.
Ajo që ofrojnë këto emisione nuk është analizë, por zhurmë. Një papërgjegjësi kolektive ku fjala humbet kuptimin, e shikuesi poshtërohet nga një rreth vicioz gjepurash, me përmbajtje nën çdo nivel profesional dhe moral. Këto formate janë një fyerje për inteligjencën e publikut dhe një pasqyrë e shëmtuar e mënyrës si e kemi trajtuar sportin dhe dijen në këtë vend.
Ky shkrim është edhe një formë proteste personale: një përshëndetje e fundit me ekranin, e një zëri që për vite të tëra e dha kontributin me dinjitet dhe pa interesa. Nuk do të jem më pjesë e këtyre paneleve të degraduara, sepse nuk mund të jem pjesë e një mashtrimi kolektiv që e ul sportin në nivelin e çarshisë dhe llomotitjes së kafenesë.
Koha për t’i thënë gjërat troç: këto emisione nuk duhen reformuar – duhen mbyllur. Janë bërë pengesë për zhvillimin e sportit dhe të mendimit kritik në vend. Sporti nuk meriton të ndotet me këtë nivel provincializmi të turpshëm, ku secili që di të bëjë zhurmë, shpallet ekspert”, -, ka shkruar Kasapolli] duke shtuar: K”omentator sportiv me 50 vjet përvojë pune në gazetari dhe mbi 2000 komentime nga ngjarjet më të mëdha sportive – Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore dhe Evropiane – në shumë degë sportive.
Megjithatë, mbesim në kontakt në platforma dixhitale!”.








