Ali Shamkhani, një nga figurat më të larta politike dhe ushtarake të Iranit, ka mohuar raportimet për vdekjen e tij pas sulmeve të 13 qershorit, duke deklaruar se është gjallë dhe në gjendje stabile.
“Jam gjallë dhe i gatshëm ta sakrifikoj veten”, ka shkruar Shamkhani në një mesazh drejtuar liderit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, i cili është publikuar nga mediat iraniane.
“Fitorja është afër. Emri i Iranit do të shkëlqejë në histori si gjithmonë”, theksoi ai.
Shamkhani, një këshilltar i afërt i Khameneit dhe ish-kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, u raportua si i vdekur nga mediat izraelite dhe disa burime iraniane pas një sulmi ajror izraelit. Më vonë, mediat iraniane njoftuan se ai kishte qenë i plagosur rëndë dhe po trajtohej në spital, por tashmë ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Me përvojë të gjatë në Gardën Revolucionare Islamike dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, Shamkhani ka qenë një figurë kyçe në bisedimet për programin bërthamor iranian me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë perëndimore.








