Udhëheqësi kinez Xi Jinping u ka bërë thirrje “fuqive të mëdha” të ndihmojnë në uljen e tensioneve në konfliktin e Iranit gjatë një telefonate me homologun rus Vladimir Putin, në një mesazh të fshehur paksa për Presidentin Trump, ndërsa ai po peshon përfshirjen e SHBA-së.
Të dy dënuan veprimet e Izraelit kundër Iranit gjatë telefonatës, me Putinin që ofroi përsëri të ndërmjetësojë një paqe. Pa përmendur SHBA-në, Xi tha se bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht fuqitë e mëdha që kanë një ndikim të veçantë mbi palët në konflikt, duhet të bëjnë përpjekje për të nxitur qetësimin e situatës, jo të kundërtën
Xi bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm mes Iranit dhe Izraelit, duke i nxitur të dyja palët që t’i japin fund armiqësive.
“Palët në konflikt, veçanërisht Izraeli, duhet të pushojnë zjarrin sa më shpejt të jetë e mundur për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të shmangur me vendosmëri përhapjen e luftës”, i tha Xi, Putinit, sipas njoftimit kinez.
Nga ana tjetër Kremlini tha se të dy udhëheqësit besojnë se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin ose për programin bërthamor të Iranit, pasi ato duhet të arrihen ekskluzivisht përmes mjeteve politike dhe diplomatike.
“(Putin) konfirmoi gatishmërinë e Rusisë për të ndërmarrë përpjekje të mundshme ndërmjetësimi nëse është e nevojshme. Udhëheqësi kinez shprehu mbështetje për një ndërmjetësim të tillë, duke e konsideruar atë si një mënyrë për të kontribuar në uljen e tensionit të situatës aktuale jashtëzakonisht të tensionuar”, tha Kremlini.






