Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të përballet me një “vdekje poshtëruese” në rast se SHBA-të i bashkohen Izraelit në një sulm ndaj Iranit.
Kështu tha ish-Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, përpara se të vdiste, në një deklaratë të raportuar nga kanali “Iran International”, me seli në Londër dhe i lidhur me opozitën iraniane jashtë vendit.
Raisi paralajmëronte se Trump ende duhet të japë llogari për vrasjen e ish-komandantit të Gardës Revolucionare Islamike, Qasem Soleimani, i vrarë në Irak në vitin 2020, dhe se hakmarrja e popullit iranian është e pashmangshme.
“Një vdekje poshtëruese e pret atë dhe ai me siguri do të goditet nga dora e botës së shtypur”, shprehej Raisi, duke i dhënë mesazhin e ashpër Presidentit amerikan nëse ndërhyn ushtarakisht kundër Iranit.
Ndërkohë Donald Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do ta ndërmarrë sulmin, raporton rrjeti amerikan CBS.
Presidenti amerikan u përmbajt nga nisja e sulmeve në rast se Irani pranonte të braktiste programin e tij bërthamor, tha një burim i lartë i inteligjencës për CBS.Trump thuhet se po shqyrton një sulm amerikan ndaj Fordos, një objekti nëntokësor të pasurimit të uraniumit në Iran.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, hodhi poshtë të mërkurën kërkesën e Trump për dorëzim pa kushte, ndërsa presidenti amerikan deklaroi se durimi i tij kishte sosur.
Të mërkurën, Trump tha se “Mund ta bëj, ose mund të mos e bëj”, kur iu bë një pyetje në lidhje me përfshirjen e SHBA-së në Iran.
Lideri suprem i Iranit, Khamenei e qortoi Trumpin në një fjalim të regjistruar të së mërkurës, duke thënë se “çdo ndërhyrje ushtarake amerikane” do të ishte e kushtueshme dhe shtoi: “Kombi iranian nuk do të dorëzohet.”






