Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryeministër në detyrë, ka komentuar sot për dështimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila përsëri nuk arriti të përmbyllet me sukses.
Para seancës, Kurti kritikoi deputetët e opozitës që refuzojnë votimin e fshehtë për kryekuvendarin, duke i quajtur “nomadë” që sipas tij nuk duan të kenë “shtëpi”.
“Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve,” tha Kurti.
Në të kaluarën, Kurti i kishte cilësuar partitë opozitare edhe si “hajvana”, duke theksuar kështu gjuhën e ashpër që po përdor ndaj tyre, e cila cilësohet si një nga arsyet pse opozita nuk pranon bashkëpunimin me të.
Seanca konstituive për të 34-tën herë me radhë ka dështuar, duke vazhduar kështu bllokadën politike në Kuvendin e Kosovës.









