Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yaşar Güler, ka njoftuar se vendi ka forcuar masat e sigurisë në kufij dhe hapësirën ajrore, si përgjigje ndaj tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.
Güler dënoi ashpër sulmet e Izraelit ndaj Iranit, duke paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së konfliktit dhe destabilizimit në rajon.
Në një video-konferencë me komandantët e forcave të armatosura, ministri theksoi se Turqia po vepron në mënyrë proaktive dhe ka ndërmarrë masa gjithëpërfshirëse për të mbrojtur vendin nga çdo kërcënim. Ai kërkoi veprim urgjent nga komuniteti ndërkombëtar për të ndaluar veprimet e njëanshme të Izraelit, të cilat sipas tij po e tërheqin rajonin drejt kaosit.
Güler gjithashtu prezantoi planin afatgjatë të mbrojtjes së Turqisë, duke njoftuar zhvillimin e një sistemi të integruar të mbrojtjes ajrore “Kupola e Çeliktë”, që do të punojë së bashku me avionin luftarak vendas “Kaan” dhe sisteme të tjera raketore.
Ai theksoi se Turqia synon të ketë një rol aktiv dhe gjithëpërfshirës në stabilizimin dhe mbrojtjen e rajonit.






