“Edhe ajri që thithim është i trishtuar”, banorët e Teheranit rrëfejnë jetën mes sulmeve me raketa

Me gjithë luftimet e vazhdueshme me Izraelin, raftet në shumë supermarkete në Teheran vazhdojnë të jenë të mbushura me furnizime.

“Nuk ka kush të blejë gjëra”, shpjegon për REL Mahsa, banore e një lagjeje perëndimore të kryeqytetit iranian.

Ajo tha se 60-70 për qind e banorëve të lagjes së saj zakonisht të gjallë, kanë ikur si pasojë e bombardimeve izraelite ndaj Iranit.

Supermarketi në lagjen e saj, që zakonisht qëndron hapur deri në mesnatë, tani mbyllet rreth orës 21:00, për shkak të mungesës së myshterinjve. Në rrugët ku dikur i duhej të bënte disa xhiro për të gjetur vend parkimi, Mahsa shprehet e sot “në rrugën time ka vetëm dy ose tri makina; është paksa e frikshme dhe shumë e trishtueshme”.

Ata pak banorë që kanë mbetur qëndrojnë kryesisht në shtëpi, dhe shumica e bizneseve janë të mbyllura tani.

“Në rrugë vetë ajri që thith është i trishtuar”, thotë Mahsa.

Shumë banorë të Teheranit kanë shkuar drejt veriut, në bregun e Detit Kaspik, i cili është vend tradicional pushimi për njerëzit nga kryeqyteti iranian.

Mahsa, e cila i kërkoi që REL-it të mos ia përmend mbiemrin e saj për arsye sigurie, ka zgjedhur të qëndrojë dhe të përballet me çdo gjë që do të ndodhë.

Ajo thotë se, kur sulmet izraelite filluan më 13 qershor u trondit shumë.

“Arrita ta mbush vetëm një çantë me gjërat më thelbësore për mua”, shtoi ajo.

Por, megjithëse miqtë dhe të afërmit e nxisnin të largohej nga kryeqyteti, ajo tregon se: “Thashë, ‘o Zot, nuk dua të largohem nga shtëpia ime’”.

Në zonën e saj të Teheranit, e njohur si vend i parapëlqyer i të rinjve, ajo beson se nuk ka objektiva ushtarake.

“Jam shumë e bindur në zemrën time se izraelitët nuk do t’i shkatërrojnë thjesht shtëpitë e njerëzve pa ndonjë qëllim”, thotë ajo.

Thuhet se më shumë se 500 njerëz janë vrarë në Iran nga sulmet izraelite që nga 13 qershori. Fotografitë e kapura nga fotoreporterë në Teheran tregojnë njerëz të plagosur rëndë, përfshirë fëmijë, pas sulmeve në kryeqytet.

“Izraeli dhe Amerika janë armiqtë tanë. Por, është sikur i besoj më shumë atyre sesa Qeverisë sime. Kjo është gjendje shumë e keqe”, thotë Mahsa.

Ajo shton se, në rrethin e saj të afërt shumica shpresojnë që konflikti të çojë në rrëzimin e regjimit iranian, kryesisht për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

Që nga pandemia e COVID-19, kostot janë rritur aq shumë sa “nuk ke asgjë, nuk mund të planifikosh asgjë, madje as një udhëtim të vogël njëditor”.

Sipas saj, edhe ushqimet më të thjeshta janë gjithnjë e më të paarritshme për banorët e zakonshëm të Teheranit.

“Për shembull, nëse gjithmonë ke pasur diçka si ullinj në kuzhinë, tani nuk mund t’i kesh. Më pas, i ke një herë në muaj, pastaj një herë në vit, dhe pastaj duhet t’i heqësh fare nga jeta”, thotë ajo.

“Këto ditë, njerëzit këtu në Iran, shumica prej tyre, do të thotë njerëzit e zakonshëm, si unë, të klasës së mesme, kanë para vetëm për të ngrënë dhe për të udhëtuar nga një vend në tjetrin brenda qytetit”, shton ajo.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit