Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se së bashku me kryeministrin Benjamin Netanyahu kanë urdhëruar ushtrinë izraelite të intensifikojë sulmet ndaj objektivave strategjike në Iran.
Vendimi vjen si përgjigje ndaj një vale të re raketash balistike të lëshuara nga Irani drejt qyteteve izraelite të enjten.
Në një deklaratë zyrtare të shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes, Katz akuzoi Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, për “sulme të qëllimshme ndaj spitaleve dhe ndërtesave të banuara”, duke e cilësuar atë si autor të “krimeve të luftës”.
“Kryeministri dhe unë kemi udhëzuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit që të godasin objektivat strategjike dhe institucionet qeveritare në Teheran për të eliminuar kërcënimet ndaj Izraelit dhe për të destabilizuar regjimin iranian”, theksoi Katz, raporton CNN.






