Presidenti amerikan Donald Trump, ka vendosur të jetë tepër diskret lidhur me mundësinë e përfshirjes në luftë me Iranin.
Pas paraljamërimeve të një dite më parë, sot ai bëri një lëvizje strategjike duke deklaruar para gazetarëve se “mund t’i sulmojë, mundet edhe jo”.
🔊
Sipas mediave britanike, ka një terr informativ mbi atë që do të bëjë vërtet Trump dhe duket se kjo është strategjia e tij. Mos vallë do të kemi një sulm befasues? Apo Trump po luan blofin?
BBC shkruan se presidenti amerikan ka mbajtur në terr informativ edhe britanikët, ndonëse në rast sulmi do të duhet të përdorë bazat e tyre në Qipro dhe Diego Garcia në Oqeanin Indian.
Sipas BBC, SHBA do të duhet të informonte aleatin e saj përpara se të niste operacione sulmuese nga bazat britanike.
Aktualisht mendohet se bombarduesit amerikanë ndodhen në Diego Garcia, bazë ku Forca Ajrore Amerikane dërgon rregullisht avionë.
Një burim britanik shprehet se, sipas vlerësimit të tyre, për Uashingtonin “të gjitha opsionet janë në tavolinë” për sa i përket hapave të ardhshëm të Trump në lidhje me Iranin. Megjithatë, burimi thekson se nuk ka ende qartësi të plotë mbi planin amerikan.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar përforcime të tjera ushtarake në Europë dhe në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë cisterna furnizimi ajror, avionë luftarakë dhe një aeroplanmbajtëse shtesë. USS Nimitz do t’i bashkohet USS Carl Vinson që ndodhet tashmë në Gjirin Persik.
Burimi britanik e përshkruan shtesën e forcave amerikane si një masë mbrojtëse, për të mbrojtur bazat, personelin dhe interesat e SHBA-ve në rajon.
Edhe Britania ka rritur praninë e saj ushtarake në bazën RAF Akrotiri në Qipro. Janë dërguar edhe gjashtë avionë luftarakë Typhoon, të cilët i bashkohen tetë avionëve të tjerë që janë tashmë në bazë.
Këto avionë shtesë do t’i mundësojnë Mbretërisë së Bashkuar të mbikëqyrë vazhdimisht bazat e saj ushtarake. SHBA ka përdorur RAF Akrotiri në operacione ushtarake të mëparshme.






