Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën në mëngjes se kishte arritur të godiste me sukses uzinat e prodhimit të centrifugave në Teheran gjatë natës.
Konkretisht, në një postim në X, ushtria izraelite deklaron se goditi “objektet e prodhimit të centrifugave dhe disa impiante të prodhimit të armëve” gjatë natës.
“Më shumë se 50 avionë luftarakë të Forcave Ajrore kanë kryer një seri sulmesh kundër objektivave ushtarake në zonën e Teheranit në orët e fundit.
Gjatë sulmit, u vunë në shënjestër disa impiante prodhimi armësh. Ndër impiantet e prodhimit të armëve të sulmuara ishte një impiant që prodhonte lëndë të para dhe komponentë për montimin e raketave tokë-tokë që regjimi iranian ka lëshuar dhe vazhdon të lëshojë kundër Shtetit të Izraelit”.
Associated Press raportoi se një shpërthim i madh u dëgjua rreth orës 5 të mëngjesit të mërkurën në Teheran, pas shpërthimeve të tjera të dëgjuara më herët gjatë natës.
Autoritetet iraniane nuk i kanë pranuar sulmet, të cilat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta ndërsa fushata ajrore izraelite është intensifikuar që nga fillimi i saj të premten.
Të paktën një sulm duket se ka pasur në shënjestër lagjen lindore Hakimiyeh të Teheranit, ku ndodhet akademia e Gardës Revolucionare.
Trafiku u ndal në rrugët që shkonin në drejtim të perëndimit dhe qendra e Teheranit u zbraz, me shumë dyqane të mbyllura, përfshirë Pazarin e Madh të lashtë. Pazari është mbyllur vetëm në kohë krize, si gjatë protestave antiqeveritare të vitit 2022 dhe pandemisë së koronavirusit.






