Në shekullin XV-të, Kina kishte flotën më të madhe dhe më të përparuar në botë. Ekspeditat e Admiralit Zheng He, endeshin nëpër oqeane me qindra anije dhe dhjetëra mijëra burra në bord. E megjithatë, në një akt simbolik dhe strategjik, elita perandorake i dha fund asaj epoke.
Ajo e asgjësoi qëllimisht flotën, mbylli portet e saj, dhe kaloi tek një vizion etnocentrik, duke besuar tek vetëmjaftueshmëria e një perandorie të gjerë. Ai vendim, shënoi në fakt fillimin e një rënieje të zgjatur, që preku fundin rreth vitit 1800.
🔊
Pra pas 8 shekujsh zgjerimi, Kina filloi të shkërmoqej, pikërisht kur Evropa po ndizte shkëndijën e eksperimentimit shkencor dhe Revolucionit Industrial. E bindur për supremacinë e saj, perandoria kineze e përçmoi tregtinë e jashtme dhe inovacionin ushtarak, gjë që e la shumë prapa Perëndimit.
Rezultati ishte “shekulli i poshtërimit” në vitet 1800: Luftërat e Opiumit, imponimet koloniale dhe humbja e ndikimit. Klasa e saj sunduese e refuzoi nevojën për t’u përshtatur dhe tregu i saj i gjerë vendas u bë një kurth për të. Në kundërshtim me këtë proces, SHBA, që ishte ende në proces formimi si republikë, filloi ngritjen e saj.
Lufta kundër Spanjës në vitin 1898, i dha mundësi ta projektonte fuqinë e saj drejt Karaibeve dhe Paqësorit, duke konsoliduar pozicionet strategjike në vende si Kuba, Porto Riko dhe Filipinet. Të frymëzuara nga doktrina detare e Alfred Mahan (kushdo që dominon, detet kontrollon tregtinë dhe fuqinë globale), Shtetet e Bashkuara investuan për ndërtimin e një marine të madhe oqeanike për të mbështetur zgjerimin e tyre.
Pra aty ku u tërhoq Kina, u zgjeruan Shtetet e Bashkuara. Sot, duket se këto role po përmbysen. Që kur erdhi sërish në pushtet, Donald Trump ka promovuar një strategji tërheqjeje për SHBA-në. Ai ka vënë në pikëpyetje organizatat shumëpalëshe (OKB, NATO, OBT, Gjykata e Hagës), ka shkurtuar fondet për agjencitë e bashkëpunimit si USAID, dhe ka ushtruar presion mbi aleatët tradicionalë.
Po ashtu, ka promovuar një pikëpamje proteksioniste mbi tregtisë, ka anuluar pjesëmarrjen e SHBA-së në Partneritetin e Trans-Paqësorit (TPP), duke e dobësuar bllokun ekonomik më ambicioz që ishte projektuar të frenonte rritjen Kinën. Madje ka sugjeruar se bota ka nevojë për Shtetet e Bashkuara më shumë sesa ajo për botën.
Slogani i Trump “Amerika e Para” paralajmëron izolacionizmin e ri, ndërsa ai mbështetet, ashtu si perandorët kinezë, tek vetëmjaftueshmëria dhe superioriteti natyral i Shteteve të Bashkuara. Nga ana e saj Kina, duket se ka mësuar nga gabimi i saj historik.
Ajo jo vetëm që e ka hapur ekonominë e saj, por është bërë partnerja kryesore tregtare e më shumë se 130 vendeve. Po ashtu, drejton projekte globale të infrastrukturës si nisma “Një Brez, një Rrugë”, dhe po investon shumë në shkencë, teknologji dhe kërkim-zhvillim.
Gjithashtu, Kina po angazhohet në një diplomaci aktive në forumet ndërkombëtare. Siç argumenton analisti Parag Khanna, ne jemi sot në epokën e “konektografisë”, ku ajo që ka rëndësi është infrastruktura dhe zinxhirët e furnizimit. Dhe Kina e luan me ambicie dhe saktësi këtë lojë.
Rritja e Kinës është e qëndrueshme edhe në aspektin ushtarak. Në veçanti, Marina e Ushtrisë Çlirimtare Popullore, me ritmin e saj të qëndrueshëm të modernizimit, është në rrugën e duhur për ta sfiduar hegjemoninë e SHBA-së në oqeane gjatë dekadave të ardhshme.
Ajo po e projekton praninë e saj nga Deti i Kinës Jugore deri në Oqeanin Indian, duke zgjeruar bazat detare në Afrikë dhe Azi, si dhe duke investuar në infrastrukturë, gjë që do t’i lejojë dalje alternative përmes Pakistanit, në rast se SHBA-ja dhe aleatët e tyre bllokojnë qasjen e saj në Detin e Kinës dhe Paqësor.
Po ashtu, Pekini po nënshkruan marrëveshje strategjike mbrojtëse, siç ishte pakti i nënshkruar me Moskën vitin e kaluar. Siç e thekson ekonomisti politik John Rapley, Trump duket i vendosur ta bëjë Kinën sërish të madhe.
Politika e tij e jashtme, e përqendruar tek tërheqja dhe luftërat e shumëfishta tregtare, ka krijuar një boshllëk, të cilin po e shfrytëzon Kina. Në këtë kuadër, SHBA-ja po shkurton ndjeshëm buxhetin e saj të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke u tërhequr nga sferat e ndikimit dhe duke nënvlerësuar – siç bëri dikur Kina perandorake – fuqinë transformuese të teknologjive në zhvillim.
Ndërkohë, Pekini po e forcon ndjeshëm lidershipin e tij në burimet e rinovueshme të energjisë, inteligjencën artificiale dhe automjetet elektrike, sidomos në botën në zhvillim. A mos po e përsërisin Shtetet e Bashkuara gabimin historik të Kinës?
Sa shumë e pengon modeli i saj i lidershipit të trashëguar, një lexim strategjik të ekuilibrit të ri global të fuqive? A është Kina, ajo që e ka kuptuar se në këtë fazë të re, fuqia mbështetet tek lidhshmëria, inovacioni dhe aftësia për të krijuar lidhje të qëndrueshme?
Historia nuk përsëritet, por ajo rimon. Dhe nëse e kaluara na ka mësuar diçka, ajo është se asnjë fuqi nuk mbetet në krye të botës për shkak të inercisë. Siç e tregoi rasti i Kinës, vetëbesimi i tepërt mund të jetë hapi i parë drejt rënies.
Në shekullin XXI-të, lidershipi nuk përcaktohet vetëm nga forca, por nga inteligjenca strategjike e nevojshme për të kuptuar se hapja nuk është një kërcënim, por një mundësi. Kina e kuptoi këtë. Po Shtetet e Bashkuara?






