Televizioni shtetëror i Iranit sapo njoftoi se vendi ka filluar sonte valën e dytë të Operacionit “Premtimi i Vërtetë” kundër Izraelit.
Televizioni shtetëror tha se këtë herë sulmi është një kombinim i dronëve dhe “më shumë se 100” raketave, me Haifën dhe Tel Avivin që janë objektivi kryesor sonte.
“Sulmi do të prishë gjumin e banorëve”, tha televizioni shtetëror.
Sirena janë dëgjuar edhe në Aman, kryeqytetin e Jordanisë. Jordania tani ka mbyllur hapësirën e saj ajrore.

Mediat izraelite thonë se janë dëgjuar shpërthime në zonat e Haifës dhe Kiryatit. Ende nuk është e qartë nëse raketat kanë goditur tokën apo janë kapur. Një dëshmitar i tha Reuters se disa raketa janë parë mbi Jerusalem.
IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) kanë identifikuar se disa raketa janë lëshuar së fundmi nga Irani drejt territorit të Izraelit dhe kanë udhëzuar qytetarët të futen në strehimore.
“Sistemet mbrojtëse po punojnë për të kapur kërcënimin. Ju duhet të hyni në zonat e mbrojtura sapo të merrni alarmin dhe të qëndroni atje deri në njoftim të mëtejshëm. Dalja nga zona e mbrojtur do të lejohet vetëm pasi të keni marrë udhëzime të qarta; ju duhet të vazhdoni të veproni sipas udhëzimeve të Komandës së Frontit të Brendshëm”, tha IDF.
Nga ana tjetër Forcat Mbrojtëse të Izraelit thonë se Forcat e tyre Ajrore po sulmojnë aktualisht objektiva ushtarake në Teheran, paralelisht me aktivitetin e interceptimit të raketave të lëshuara nga Irani.
Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Izraelit thotë se i është përgjigjur disa incidenteve në zonat bregdetare dhe veriore të vendit, duke përfshirë rënien e mbetjeve raketore, dëmtimin e ndërtesave të banimit dhe zjarret në hapësira të hapura. Ekipet e zjarrfikësve janë në rrugë e sipër, thotë njësia.
Izraeli po kryen gjithashtu sulme ajrore në Jemen, në të njëjtën kohë ndërsa shkëmben zjarr me Iranin, raportojnë mediat izraelite.
Radioja e ushtrisë izraelite raporton se objektivi i misionit është vrasja e një zyrtari të milicisë Huthi. Raportohet se rezultatet e misionit po vlerësohen.
Autoriteti Izraelit i Transmetimeve raportoi gjithashtu se forcat ajrore të Izraelit po sulmonin objektiva në Jemen dhe citoi një zyrtar të paidentifikuar të thoshte se nëse operacioni ka sukses, ai do të jetë me rëndësi të madhe.









