Nga tarraca e saj në Teheran, Ghael sheh “Beit-e Rahbari” (shtëpinë e udhëheqësit suprem) një rezidencë e blinduar e pajisur me bunker anti-bërthamor. “Mbrëmë u përpoqën disa herë ta godasin”, shkruan vajza në një mesazh, me një emoi të bashkangjitur. Ayatollah Ali Khamenei me gjasë nuk ndodhet aty. Thuhet se është fshehur në Mashhad, qyteti i tij i lindjes, por askush nuk ka siguri.
Në ditën e dytë të luftës mes Izraelit dhe Republikës Islamike, regjimi iranian është goditur rëndë. Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë njëzet figura kyçe të aparatit strategjik iranian: nga Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare, te Mohammad Bagheri, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Gholamali Rashid, drejtuesi i shtabit qendror Khatam al-Anbiya, Esmail Qaani, komandanti i forcës elitare Quds, dhe Amir Ali Hajizadeh, shefi i forcave ajrore të IRGC-së dhe arkitekti i sulmit të fundit ndaj Izraelit.
“Regjimi mbështetej te këta komandantë. Parlamenti është i parëndësishëm. Një gjeneral i Gardës ka më shumë pushtet se vetë presidenti Pezeshkian. Këto sulme u menduan për të paralizuar strukturën e diktaturës,” deklaron për Corriere della Sera analisti iranian Beni Sabti nga INSS në Tel Aviv. Netanyahu ka paralajmëruar se nëse Irani do të vrasë civilë, Izraeli do të hakmerret duke goditur edhe figura politike të larta. “Shumë prej tyre janë eliminuar tashmë”, komenton Sabti, duke shtuar se çdo figurë në IRGC është tani në shënjestër, një mesazh i qartë i Izraelit për Khamenein dhe rrethin e tij: “Jeni ju të ardhshmit”.
🔊
Kjo retorikë forcon bindjen se qëllimi i Izraelit nuk është vetëm shkatërrimi i kapaciteteve bërthamore dhe raketore të Iranit, por edhe destabilizimi, në mos rrëzimi i regjimit. Një synim i rrezikshëm dhe aspak i thjeshtë, që nuk garanton domosdoshmërisht çlirimin e popullit iranian, i shtypur prej 46 vitesh nën një teokraci brutale.
Në “listën e Netanyahut” mund të jetë edhe djali i dytë i Khameneit, Mojtaba, trashëgimtari i përzgjedhur. I pamëshirshëm dhe i vendosur për të ruajtur pushtetin e familjes me çdo kusht, ai kontrollon milicitë, sigurinë dhe kanalet financiare. Një tjetër figurë kyçe është Mohammad Bagher Ghalibaf, ish-komandant i Gardës Revolucionare, ish-kryepolic dhe kryetar i tanishëm i Parlamentit. Strateg dhe i besuar i Khameneit, ai ishte aleat i ngushtë i Qassem Soleimani. Edhe Ali Larijani, një tjetër ish-komandant dhe lider konservator, konsiderohet figurë me ndikim, por më pragmatike, që ka negociuar me BE për çështjen bërthamore.
Por skenari më i ashpër, dhe më i dëshiruar për opozitën iraniane, është që objektivi i radhës të jetë vetë Khamenei. Edhe për Mossad nuk do të ishte një goditje e lehtë, për shkak të mbrojtjes ekstreme që e rrethon. Vrasja e njeriut që nga viti 1989 drejton Republikën Islamike do të hapte skenarë të paparashikueshëm me pasoja shpërthyese përtej fushëbetejës.
Sipas analistit dhe shkrimtarit Arash Azizi, në rast të vrasjes së Khameneit, do të thirrej një Asamble e Ekspertëve, një lloj konklavi fetar, për të zgjedhur pasardhësin. Mojtaba është ndër kandidatët kryesorë. Por një akt kaq tronditës mund të shtyjë edhe pjesë të tjera të regjimit të veprojnë për të ndryshuar sistemin. Në atë rast, fuqia e vërtetë mund të mos qëndrojë më në duart e liderit suprem.
Kjo do të niste luftëra të brendshme që do të shkaktonin jo vetëm kaos në Iran, por edhe në rajonet ku Irani ka ndikim: Irak, Liban, Siri e Jemen.
Disa shpresojnë që një shembje e regjimit të risjellë në rrugë masat e protestuesve si në lëvizjen “Grua, Jetë, Liri” të viteve 2022–2023. Të tjerë përmendin mundësinë e një grushti shteti nga fraksione të ushtrisë apo oligarkëve që kontrollojnë ekonominë iraniane. Në Iran nuk ekziston një udhëheqje e organizuar opozitare – ajo është e ndaluar. Ata që kanë kundërshtuar regjimin janë në burg, në arrati ose të vrarë. “Nuk ka sot një figurë opozitare që të ketë forcën për të marrë pushtetin. Një kryengritje spontane mund të ndryshojë gjërat, por mbetet e pasigurt. Po ashtu, një fraksion i moderuar brenda vetë regjimit mund të përpiqet të marrë drejtimin dhe të negociojë me Perëndimin”, shton Azizi.
Ali Vaez nga International Crisis Group vëren se nuk ka një alternativë të gatshme për regjimin aktual – as brenda as jashtë vendit. Një shembje nga brenda do të sillte ose një luftë civile ose një grusht shteti ushtarak.
Edhe pse aktualisht nuk ka një reagim zinxhir, nëse kjo ndodh, mbetet e paqartë se në cilin drejtim do të shkojë. Në Iran, pushteti është në duart e ekstremistëve të Gardës Revolucionare që kontrollojnë ushtrinë dhe ekonominë. Ata nuk duan ta shembin sistemin – por ta ruajnë me çdo kusht.
Të befasuar dhe të pasigurt, liderët e regjimit janë sot të izoluar dhe të ndjerë të kërcënuar. Ata po përgatiteshin për një përgjigje ndaj një sulmi izraelit, por llogaritën gabim, menduan se kishin kohë deri të dielën, kur ishte planifikuar raundi i gjashtë i bisedimeve me SHBA. Tani, të kapur në befasi dhe të poshtëruar publikisht, duken të shtyrë drejt përshkallëzimit të situatës. Në këtë klimë tensioni, nuk përjashtohet që Teherani të ndjekë rrugën e sulmeve të fshehta kundër Izraelit, ose më keq, të përshpejtojë programin bërthamor, duke e futur Lindjen e Mesme në një periudhë destabiliteti të ri dhe të thellë.








