Komisioni Evropian ka propozuar të martën një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke synuar reduktimin e të ardhurave të Moskës nga energjia, sektorin bankar dhe industrinë e saj ushtarake.
Përmes kësaj pakete, Komisioni propozon ndalimin e transaksioneve me tubacionet e gazit Nord Stream të Rusisë, si dhe me bankat që janë të angazhuara në anashkalimin e sanksioneve të mëparshme.
Në një konferencë për shtyp, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, theksoi se “Qëllimi i Rusisë nuk është paqja, është të imponojë sundimin e fuqisë… forca është e vetmja gjuhë që Rusia do ta kuptojë.”
Propozimi i ri përfshin shtimin e 22 bankave të tjera ruse në listën e sanksioneve dhe zgjerimin e kufizimeve ndaj tyre, përfshirë ndalimin e plotë të transaksioneve financiare, përveç asaj që është bërë tashmë me heqjen nga sistemi SËIFT, një rrjet global mesazhesh financiare. Gjithashtu, përfshihen bankat e vendeve të treta dhe Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF) së bashku me degët dhe rrjetin e tij më të gjerë.
Në një tjetër masë, Komisioni ka propozuar uljen e çmimit të kufizuar të naftës bruto ruse nga 60 dollarë për fuçi në 45 dollarë për fuçi, në një përpjekje për të ulur të ardhurat e Rusisë nga energjia. Von der Leyen ka theksuar se ky kufi i çmimit do të diskutohet më tej gjatë një takimi të liderëve të G7 në Kanada javën e ardhshme.
Paketa gjithashtu ka parashikuar shtimin e anijeve të Rusisë në listën e sanksioneve, duke e çuar numrin total të anijeve të shënjestruara në më shumë se 400, si dhe ndalimin e importit të produkteve të rafinuara nga nafta ruse.
“Me këtë masë, ne duam të parandalojmë që nafta ruse të arrijë në tregun e BE-së përmes rrugëve alternative,” ka përfunduar von der Leyen.








