Izraeli supozon se banda e udhëhequr nga Yasser Abu Shabab, do të jetë gjithmonë nën kontrollin e tij, pasi e armatos dhe e financon indirekt. Megjithatë, përvoja e hidhur tregon se milici të tilla, kanë dinamikën e tyre dhe bindja nuk është pjesë e saj.
“Ne kemi mobilizuar në Gaza klane që e kundërshtojnë Hamasin. E çfarë ka të keqe ka këtu?”- tha Benjamin Netanyahu të enjten, në përgjigje të raporteve se Izraeli po ofron mbështetje për milicitë e vetëshpallura të udhëhequra nga trafikanti i drogës Yasser Abu Shabab.
Jo rastësisht, kryeministri ngatërron klanet me bandat kriminale. Përdorimi i termit “klane”, i jep një aromë respekti bashkëpunimit midis udhëheqësve të palestinezëve në Gaza dhe Izraelit kundër Hamasit.
Nga ky këndvështrim, ai synon t’i paraqesë “klanet”, si pjesë e një plani të pasluftës për Rripin e Gazës, në të cilin një qeveri lokale palestineze do të zëvendësojë jo vetëm Hamasin, por edhe Autoritetin Palestinez, të cilin në fillim të luftës Izraeli e përcaktoi si një entitet mbështetës të terrorizmit, edhe pse jo një plotësisht një organizatë terroriste.
Por banda e Abu Shabab nuk është as një “klan”, dhe as një përfaqësuese e publikut palestinez në Gaza. Vlen të përmendet se në marsin e vitit 2024, një i ashtuquajtur “koalicion familjesh dhe klanesh të rretheve jugore të Rripit të Gazës”, u shpreh në një deklaratë të prerë, se ishte “i gatshëm të takohej me institucione ndërkombëtare, që nuk janë të lidhura me qeveritë në varësi të fraksioneve palestineze, por vetëm me ato që veprojnë nën burimin e autoritetit palestinez, pra me Organizatën për Çlirimin e Palestinës të drejtuar nga Mahmoud Abbas, përfaqësuesja e vetme e popullit palestinez”.
“Pushtuesi kontaktoi disa individë nga familjet e shquara me telefon dhe kërkesa e tij u refuzua. Ne i vlerësojmë familjet Najjar, Madhoun, Shaëa, Araa, Astal dhe Hilles, qëndrimi i të cilave është se OÇP-ja është përfaqësuesja e vetme e popullit palestinez, dhe se Gaza është një pjesë e pandashme e Palestinës”, vazhdoi më tej deklarata e koalicionit.
Në vend të klaneve apo një udhëheqjeje të familjeve të shquara palestineze, Izraeli po armatos Abu Shababin, i cili e etiketon bandën e tij si një “shërbim anti-terror”. Kështu, një person që ka plaçkitur edhe kolona me ndihma humanitare, po vihet tani në krye të mbrojtjes së kolonave të reja me ndihma humanitare, por në emër të Izraelit.
Dhe fakt: ku qëndron problemi këtu? Izraeli nuk ishte shteti i parë që mbështetet tek bandat kriminale dhe milicitë lokale për të menaxhuar territorin e pushtuar. Shtetet e Bashkuara rekrutuan, financuan dhe armatosën forcat fisnore lokale në Afganistan dhe Irak.
Emiratet e Bashkuara Arabe, punësuan mercenarë kolumbianë në luftën në Jemen. Bashar Al-Assad krijoi një ushtri të tërë me banditë, të cilët vranë mijëra njerëz gjatë luftës civile në Siri. Irani po financon milicitë shiite në Irak. Katari dhe Arabia Saudite, financuan milici të armatosura që vepronin përkrah presidentit të ri të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, ndërsa Turqia dërgoi milici siriane për të luftuar në Libi. Po ashtu, Ankaraja mbështetet tek milicitë e veta për të kontrolluar territorin që pushtoi në rajonet kurde të Sirisë Veriore.
Por, ndërsa milicitë e dërguara për të luftuar si mercenarë në vende të tjera nuk janë pjesë e strukturës politike dhe shoqërore të vendit në të cilin luftojnë dhe i ndërpresin aktivitetet e tyre, kur shteti që i dërgon armë u thotë ta bëjnë këtë, milicitë lokale si ato që veprojnë në Siri, Irak ose Gaza, shndërrohen zakonisht në një “ushtri paralele” brenda shtetit, duke krijuar një shtet brenda shtetit.
Rezultati: qeveritë zyrtare dhe të njohura të këtyre vendeve, e gjejnë veten të zhytura në një luftë të përgjakshme kundër milicive, të cilat janë bërë një forcë e fuqishme politike që vepron për hir të interesave të tyre ekonomike dhe politike, në kurriz të strukturës politike të shtetit.
Në rastin e Irakut dhe Sirisë, këto milici lokale kontrollojnë pjesë të këtyre vendeve dhe kërcënojnë qytetarët dhe qeverinë. Nëse dikur ato bashkëpunuan me ushtrinë kombëtare dhe madje edhe me Shtetet e Bashkuara në luftërat kundër Shtetit Islamik, dhe konsideroheshin si një forcë ndihmëse thelbësore legjitime, me kalimin e viteve janë bërë një kërcënim që përhapet në të gjithë rajonin, dhe jo vetëm në vendet e tyre të origjinës.
Në mënyrë të ngjashme, Izraeli i sheh bandat kriminale si ajo e Abu Shabab si një “forcë mbështetëse”, që do të ndihmojë në mbrojtjen e shpërndarjes së ndihmës humanitare, do t’i lehtësojë Forcat Mbrojtëse të Izraelit nga kjo barrë, dhe që ndoshta më vonë do të menaxhojë shpërndarjen e ndihmës dhe ndihmojë në krijimin e mekanizmave të qeverisjes civile në Rrip.
Por kjo i hap rrugën një zhvillimi të rrezikshëm, i cili do të jetë i ngjashëm me atë që ndodhi në Irak, Siri, Liban dhe vende të tjera. Izraeli supozon se milicia do të jetë gjithmonë nën kontrollin e tij, pasi e armatos, i siguron asaj burime të ardhurash dhe ndoshta edhe e financon atë direkt, duke krijuar një varësi që do të sigurojë bindjen e saj të pakushtëzuar.
Megjithatë, përvoja e hidhur në Gaza (dhe më gjerë), na mëson se milici të tilla kanë dinamikën e tyre, dhe bindja nuk është pjesë e saj. Për shembull, komitetet popullore që dolën në Gaza pas intifadës së dytë i ndryshuan besnikëritë e tyre midis Autoritetit Palestinez, Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez.
Ashtu si ata, familjet e mëdha në Gaza, kanë bërë gjithmonë përpjekje për të ruajtur marrëdhënie të mira me të gjitha organizatat, si dhe për të emëruar përfaqësues nga radhët e tyre në secilën prej tyre. Hamasi arriti që ta thyente rezistencën e shumicës së organizatave më të vogla, qoftë me forcë apo duke i integruar ato në mekanizmat e tij, dhe në përgjithësi ia doli të neutralizojë me forcë aktivitetet e përfaqësuesve të Autoritetit Palestinez.
Si forca dominuese ushtarake, ekonomike dhe politike në Rrip, e cila gëzon edhe mbështetjen e Izraelit, ai po bashkëpunonte edhe me organizatat civile që e kundërshtojnë ideologjinë e tij, por që vareshin prej tij për jetesën dhe vijueshmërinë e bizneseve të tyre.
Me sa duket, tani ka lindur një mundësi që këto subjekte të zëvendësojnë Hamasin ose të paktën të konkurrojnë për hapësirën që po lë bosh organizata në sferat civile dhe ushtarake. Në këtë konkurrencë, “agjenti izraelit”, siç quhet Abu Shabab në mediat sociale në Gaza, mund të përplaset me banda të tjera, organizata, anëtarë të komiteteve popullore, familje të mëdha dhe të vogla dhe natyrisht, me anëtarë të Hamasit.
Kjo është zakonisht faza, ku mund të zhvillohet një luftë civile e përgjakshme, me viktima që nuk janë thasë me miell dhe shishe me vaj, por civilë të pafajshëm, dhe përgjegjësia për këtë do të bjerë mbi Izraelin. Nuk dihet se sa njerëz ka arritur të rekrutojë Abu Shabab. Vlerësimet variojnë nga rreth 100-300 luftëtarë.
Sidoqoftë, kjo është një forcë dukshëm më e vogël se ato të Hamasit, Xhihadit Islamik Palestinez dhe organizatave të tjera. Ky disavantazh numerik, mund ta shtyjë Abu Shabab që të formojë koalicione me grupe të tjera të armatosura.
Ndërkohë, nuk ka asnjë garanci se ai nuk do të përpiqet të rekrutojë anëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez. Përpjekja për të grumbulluar pushtet, nuk mund të ndahet nga konteksti politik dhe ideologjik, në të cilin Abu Shabab, kreu i një organizate kriminale, duhet ta bazojë “legjitimitetin” e tij tek ndonjë ide kombëtare, të heqë dorë nga imazhi i një bashkëpunëtori, të ndryshojë besnikëri, apo në fund t’i drejtojë kundër Izraelit armët që mori po nga ky i fundit.
Izraeli ëndërron të krijojë në Gaza, versionin e Ushtrisë së Libanit të Jugut, një milici etnikisht të përzier, të dominuar nga të krishterët, që punoi përkrah Forcave Mbrojtëse të Izraelit për gati 25 vjet. Megjithatë, në Tel Aviv mund ta kenë harruar se përkrah fraksionit pro-izraelit, nga hiri i luftës civile doli Hezbollahu.








