Përplasjet në Los Anxhelos po zgjasin tashmë prej tre ditësh, të nisura pas bastisjeve të agjentëve kundër emigracionit për arrestimin e emigrantëve të parregullt, dhe të përshkallëzuara me dërgimin e Gardës Kombëtare nga Presidenti Donald Trump.
Qysh në vitin 2020, gjatë protestave pas vrasjes së George Floyd, Trump kishte kërcënuar se do të dërgonte ushtrinë për të ndalur kryengritjet në qytetet me drejtim demokratik, por më pas ishte tërhequr. Sot, ai po përdor Los Anxhelosin si shembull për të demonstruar qëllimet e tij: gjithçka nisi me bastisjet e ICE (Imigracioni dhe Doganat), të theksuara nga prania ushtarake në rrugët e qytetit. Më pas, ai dërgoi 2.000 rezervistë të Gardës Kombëtare për të shtypur protestat me forcë, dhe u kërkoi autoriteteve ushtarake dërgimin e trupave federale.

Sipas mediave amerikane, Trump po teston sërish kufijtë e autoritetit presidencial. Edhe vetë “Wall Street Journal”, një media konservatore, e ka quajtur këtë një “luftë dëbimesh”. Gjatë natës, Trump shpalli se do të “çlirojë qytetin nga hordhitë e emigrantëve”, duke ndërtuar një gjendje emergjence që sipas guvernatorit Gavin Newsom “nuk ekziston”: “Nuk kishim asnjë problem derisa Trump ndërhyri,” tha ai. “Kjo është një shkelje e rëndë e sovranitetit shtetëror”.
Çfarë po ndodh në terren
Garda Kombëtare e Kalifornisë ka mbërritur në Los Anxhelos, e dërguar nga Trump në ndihmë të agjentëve të ICE, të cilët prej tre ditësh janë përfshirë në përplasje të dhunshme me protestuesit.
Shkak i protestave u bënë bastisjet e urdhëruara nga vetë presidenti, i cili i quajti “kryengritje të pushtuesve të huaj”, dhe që synonin arrestimin e emigrantëve të parregullt në restorante, bare e dyqane. Dje pasdite, ushtarët përdorën gaz lotsjellës dhe plumba specash kundër protestuesve që solidarizoheshin me mbi 150 emigrantët e arrestuar.

Kjo është hera e parë që nga viti 1965 që Shtëpia e Bardhë aktivizon Gardën Kombëtare të një shteti pa kërkesën e autoriteteve vendore. Guvernatori Gavin Newsom, i Partisë Demokrate, e quajti në X këtë vendim “qëllimisht provokues”, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien në kurth: “Mos përdorni kurrë dhunën”. Përplasja është thellësisht politike.
Los Anxhelos është një nga të ashtuquajturat “qytete strehë”, ku 30% e popullsisë janë emigrantë që gëzojnë mbrojtje edhe nga autoritetet lokale. Kjo është pikërisht ajo që e shqetëson Shtëpinë e Bardhë. Tom Homan, “cari i kufijve” që Trump ka caktuar për koordinimin e dëbimeve masive, madje ka kërcënuar me arrestimin e Newsom dhe kryetares së bashkisë Karen Bass: “Është krim të strehosh dhe ndihmosh me vetëdije një emigrant të paligjshëm,” deklaroi ai.

Edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shtoi tensionin: “Nëse dhuna vazhdon,” shkroi në X, “do të mobilizohen edhe marinsat në shërbim aktiv: janë në gjendje të alarmit maksimal”. Një mesazh që guvernatori e cilësoi “të çmendur”.
Përplasjet kanë ndodhur veçanërisht në lagjen e modës dhe në qytetin Paramount, me shumicë latino-amerikane, në juglindje të Los Anxhelosit, pas arrestimit të rreth 150 emigrantëve të paligjshëm. Banorët kanë raportuar një atmosferë frike, me shkolla të boshatisura dhe biznese të mbyllura nga frika e bastisjeve. Protestat kanë degraduar në përleshje me gurë, shishe dhe fishekzjarrë, ndërsa policia ka reaguar me plumba gome dhe granata shurdhuese.
Të shtunën në mbrëmje, Trump akuzoi guvernatorin dhe kryetaren e bashkisë se janë “të paaftë” dhe se e detyruan të ndërhyjë “për t’i dhënë fund anarkisë”. Natën më pas, ai përgëzoi në platformën Truth “punën e shkëlqyer të Gardës Kombëtare”. Por asnjë ushtar ende nuk kishte mbërritur në qytet. Kryetarja Karen Bass nuk e humbi rastin për ta theksuar: “Dua të falënderoj policinë e Los Anxhelosit për punën e tyre. Për qartësi, Garda Kombëtare nuk është dislokuar në qytetin tonë.”

Guvernatori Newsom reagoi ashpër: “I kam kërkuar zyrtarisht administratës Trump që të tërheqë këtë dislokim të paligjshëm të trupave në qarkun e Los Anxhelosit dhe t’i rikthejë nën komandën time. Nuk kishim asnjë problem derisa Trump ndërhyri. Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit shtetëror: nxit tensionet dhe heq burimet nga vendet ku janë vërtet të nevojshme.”
Në debat u përfshi edhe presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum: “Meksikanët që jetojnë në SHBA janë burra dhe gra të ndershëm,” tha ajo. “Nuk janë kriminelë.” Por Trump nuk u tërhoq: “Këto janë kryengritje të pushtuesve të huaj që valëvisin krenarisht flamujt e vendeve të tyre të origjinës,” shkroi ai në X. “Mjaft me këto marrëzira.”
Zemra politike e konfliktit
Dërgimi i trupave federale në Kaliforni, duke anashkaluar autoritetet shtetërore – një sfidë e hapur ndaj guvernatorit demokrat Newsom dhe kryetares së bashkisë Karen Bass – për të shtypur trazira serioze, por jo shumë të rënda, është një rast jashtëzakonisht i rrallë në historinë amerikane.
Rasti i fundit i ngjashëm daton në vitin 1965, kur Presidenti Lyndon Johnson dërgoi Gardën Kombëtare në Alabama për të mbrojtur aktivistët për të drejtat civile të sulmuar nga racisti vendas. Edhe në vitin 1992, Kalifornia kërkoi ndihmë për të përballuar trazirat pas rrahjes së Rodney King, atëherë u përfshi e gjithë shteti në një luftë urbane me 60 të vdekur dhe dëme miliarda dollarëshe. Por këtë herë, në fundjavë në Los Anxhelos pati vetëm disa të plagosur të lehtë dhe disa makina të djegura, aspak krahasueshme.
Ndërhyrja e Trump është e pazakontë dhe e tepruar: si zakonisht, ai kërkon të ushtrojë fuqi të jashtëzakonshme duke fryrë ose shpikur emergjenca. E njëjta taktikë që përdor për deportimet masive apo për të imponuar tarifa kundër vendeve që nuk ndalojnë trafikun e fentanilit.
Ky veprim nuk është i papritur: në fund të mandatit të tij të parë, Trump u tërhoq nga përdorimi i ushtrisë gjatë protestave për George Floyd, por më pas premtoi se në të ardhmen nuk do të qëndronte më duarkryq. Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, çdo veprim i tij ka synuar të tregojë se ka thyer kufijtë e moderimit dhe ligjshmërisë që ia kishin imponuar dikur bashkëpunëtorët e tij.






