Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë po intensifikohet edhe në hapësirën ajrore. Imazhe të reja satelitore kanë zbuluar se ushtria ukrainase ka rrëzuar një avion spiun rus Beriev A-50 në bazën ajrore të Ivanovos, brenda territorit rus, raporton A2 CNN, duke cituar burime ndërkombëtare përfshirë portalin ‘BT’.
Beriev A-50 është një nga asetet më të çmuara të ushtrisë ruse, i ndërtuar mbi platformën e avionit transportues Il-76 dhe i pajisur me radar të avancuar për zbulim, koordinim ajror dhe mbledhje të dhënash strategjike. Rusia ka një numër të kufizuar avionësh të tillë, dhe rrëzimi i tij përbën një humbje të rëndësishme për kapacitetet ajrore të Moskës.
Ky është rasti i dytë brenda disa muajsh që Rusia humbet një avion të këtij lloji. Kujtojmë se në janar 2024, një tjetër A-50 u rrëzua në Detin e Azovit.
Rrëzimi i fundit ndodh në kuadër të ofensivës së Ukrainës kundër bazave ajrore ruse, ku janë të stacionuar edhe bombardues strategjikë si Tu-95, Tu-22 dhe Tu-160, të përdorur për sulme masive mbi territorin ukrainas.









