90-minutat emocionuese të finales së UEFA Nations League 2025, zhvilluar në Allianz Arena, Mynih, mes Portugalisë dhe Spanjës përfunduan me një barazim spektakolar 2-2. Tani, sfida mes dy gjigantëve evropianë do të vazhdojë në kohën shtesë për të përcaktuar fituesin e trofeut prestigjioz.
Spanja kaloi e para në avantazh në minutën e 15-të me një gol të shënuar nga Martín Zubimendi, i cili shfrytëzoi një pasim të saktë, edhe pse me dyshime për pozicion jashtë loje.
Portugalia reagoi shpejt, duke barazuar rezultatin në minutën e 26-të me një goditje të jashtëzakonshme nga Nuno Mendes, i cili lëshoi një “golazo” pas një aksioni të shpejtë. Në fundin e pjesës së parë, Spanja riktheu epërsinë me anë të Mikel Oyarzabal (45+1′), i cili përfitoi nga një pasim magjik i Pedri për të mposhtur portierin Diogo Costa.
Në pjesën e dytë, Portugalia u rikthye në lojë falë një goli të Cristiano Ronaldo në minutën e 61-të, i cili shënoi me një vole instinktive pas një krosimi të devijuar nga Nuno Mendes. Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja skuadrat, me Lamine Yamal dhe Pedri që kërcënuan për Spanjën, dhe Rafael Leao që sfidoi mbrojtjen spanjolle, rezultati mbeti 2-2 deri në fund të kohës së rregullt.
Tani, ndeshja shkon në 30 minuta shtesë, dhe nëse barazimi vazhdon, fituesi do të përcaktohet me penallti.






