Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka mohuar se ka pasur ndonjë takim shtesë me kryetarin e partisë së saj, Fatmir Limaj, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Jo nuk ka pasur takim shtesë. Janë takimet publike që kanë ndodh, ska tjetër”, tha ajo para vazhdimit të seancës, duke hedhur poshtë spekulimet për bisedime të tjera.
Në lidhje me idenë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale njëkohësisht, deputetja e Nismës tha se kjo është e pamundur.
“Nuk e mendoj që ka qenë e ndërtume si një ide. Është e pamundur. Kemi problem tjetër aktual. Këtë propozim do ta zgjedh Kushtetuta”, deklaroi ajo.
Po ashtu, ajo komentoi edhe për marrëveshjen e mundshme mes Kurtit dhe Limajt që ky i fundit të zgjidhet kryeparlamentar, duke thënë se marrëveshja nuk ka dështuar.
“Nuk e besoj që ka dështuar. Pres që do të ketë një zgjidhje, po presim në ditët në vazhdim. Jemi deputet, prandaj jemi këtu për me pas një zgjidhje”, u shpreh Izmaku.









