Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të shpallë së shpejti një kandidat të ri për postin e administratorit të NASA-s, pasi Jared Isaacman nuk është më në garë për këtë pozitë. Lajmi u konfirmua nga Shtëpia e Bardhë, e cila nuk dha shpjegime për tërheqjen e kandidatit fillestar.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Liz Huston, deklaroi se administratori i ardhshëm do të ketë një rol kyç në përmbushjen e vizionit të presidentit Trump për ta çuar njerëzimin në Mars. “Është thelbësore që lideri i NASA-s të përputhet plotësisht me agjendën ‘America First’. Presidenti Trump do të shpallë zëvendësuesin së shpejti”, tha ajo, transmeton Reuters.
Tërheqja e Isaacman vjen vetëm pak ditë para se Senati të votonte për konfirmimin e tij në këtë post. Isaacman, sipërmarrës dhe astronaut privat me dy udhëtime në hapësirë, kishte ngjallur polemika për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me CEO-n e SpaceX, Elon Musk, dhe mungesës së përvojës drejtuese në agjencitë publike.










