Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me zhvillimet politike në vend dhe bllokadën institucionale, duke theksuar rëndësinë e marrëveshjeve politike të sinqerta dhe përfaqësimit të bazuar në meritë.
“Nuk votohet më as për grua e as për burrë, por për përfaqësues që dalin nga marrëveshjet dhe veprimet politike, që nuk bartin njollën e kontabandës politike, por të meritës politike”, shkroi Haziri.
Ai kujtoi se në të kaluarën Kosova ka votuar dy presidente gra për hir të marrëveshjes dhe stabilitetit të Republikës, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të elektoratit.
“Republika kishte shpresë dhe besim te populli. Kemi votuar pa kushte, edhe pse nuk pëlqeheshin nga votuesit. Sot nuk votohet as për Kuvend, as për Qeveri, kur veprimet janë të njëanshme dhe agjendat të fshehura”, shtoi ai.
Haziri theksoi se zgjidhja është në dorën e atyre që dikur kundërshtonin gjithçka në këtë Republikë dhe tani duhet të kuptojnë e të respektojnë kundërshtimin politik.
“Republika, mbi të gjitha!”, përfundon deklaratën e tij Haziri.








