Policia shqiptare ka arrestuar dje 10 persona të dyshuar për përfshirje në trafik armësh, në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle”, pas një hetimi pesëmujor që përfshinte edhe përdorimin e dronëve dhe blerjeve të simuluara.
Hetimet kishin nisur pas një mesazhi të gjetur në celularin e një të arrestuari gjatë një operacioni të zhvilluar në dhjetor të vitit të kaluar, i cili zbuloi rrjetin e përfshirë në trafikun e armëve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Pas zbërthimit të komunikimeve, Policia e Tiranës mbajti nën vëzhgim pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal, duke finalizuar goditjen të premten.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 14 armë zjarri – 12 pistoleta dhe 2 armë të gjata automatike – si dhe krehra, municion luftarak, mbi 2 mijë fara kanabisi, 3 automjete dhe 8 celularë.
Sipas autoriteteve, armët ishin modele të reja evropiane që trafikonin nga vendet e Bashkimit Evropian drejt Shqipërisë dhe Kosovës, të fshehura në pjesë të motorëve të makinave ose në valixhe e hapësira të autobusëve. Çmimi i një pistolete në tregun e paligjshëm shkonte nga 1500 deri në 2500 euro, ndërsa një armë me silenciator mund të arrinte deri në 3000 euro.








