Në kushtet aktuale, vetëm tërheqja e Ukrainës nga pjesa e mbetur e 4 rajoneve të aneksuara tashmë nga Rusia, mund të shmangë kolapsin e plotë dhe skenarët më te këqij…
Është një skenar, që udhëheqësit evropianë do të bëjnë mirë ta marrin në konsideratë, ndërsa Kievi po hyn me zhgënjim të madh në procesin e paqes të sponsorizuar nga Uashingtoni: ndërsa Shtëpia e Bardhë është e vendosur t’i japë fund luftës në Ukrainë, evropianët po i thonë Zelensky-t se nuk ka nevojë për paqe.
Lufta mund të vazhdojë pafundësisht, thonë ata; dhe nëse amerikanët duan të largohen, Evropa mund të ndërhyjë për të mbushur boshllëkun. Por Zelensky do të tregohej budalla nëse do besonte se evropianët do ta shpëtojnë nga forcat e realitetit. Evropa, bastioni i fundit i konsensusit dikur të pakapërcyeshëm pro-luftës, është një kontinent skifterësh pa sqepa. Ukraina nuk mund ta mposhtë Rusinë vetëm me mbështetjen evropiane.
Në një skenar të tillë, ajo do të kapitullonte. Gjendja e vështirë e Ukrainës aktualisht, më kujton gjithnjë e më shumë atë të Republikës së Dytë Spanjolle, pasi disfata e saj në Betejën e Ebros në fundin e vitit 1938, shkatërroi çdo shpresë të mbetur për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.
Ekuivalenti e Ebros në Ukrainë, ishte kundërsulmi i saj katastrofik në vitin 2023. Që nga ajo kohë, pozicioni i Kievit është bërë gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Ndërsa publiku po e humbet vullnetin për të luftuar dhe grindjet politike në Kiev po bëhen shumë të zhurmshme për t’u injoruar, po piqen gjithnjë e më shumë kushtet për një shembje të rendit, dhe për një krizë të brendshme shumë të rëndë.
Në marsin e vitit 1939, i bindur se lufta ishte e humbur dhe se zgjatja e saj po shkaktonte një humbje të panevojshme dhe të padobishme jetësh njerëzore, oficeri republikan spanjoll Segismundo Casado rrëzoi qeverinë pro-luftës të Juan Negrínit, duke çuar në shembjen e Republikës dhe në fitoren e plotë dhe të pakushtëzuar të gjeneral Francos.
Frikëra të tilla duken edhe më serioze, nëse kihet parasysh se Zelensky është tani një udhëheqës shumë jopopullor. Sondazhet tregojnë se ai do të humbiste zgjedhjet e reja kundër ish-gjeneralit Valeriy Zaluzhniy me 25-75 për qind të votave.
Dhe ky është një skenar, të cilin do të ishte mirë ta merrnin parasysh udhëheqësit e Evropës. Demoralizimi i madh i ushtarëve dhe shoqërisë, e vendos vendin në buzë të greminës. Ashtu siç e tregoi Perandoria Ruse në vitin 1917, apo Gjermania në vitin 1918, kolapsi ushtarak dhe politik ndodh gradualisht, pastaj përshpejtohet papritmas.
Qoftë përmes një rritjeje të luftës politike në kryeqytet, për shkak të një përparimi të madh të trupave ruse, një përpjekje për një grusht shteti, fillimit të protestave në shkallë të gjerë, nuk është e pamundur të imagjinohet një skenar në të cilin ushtria e Kievit përjeton një shthurje, duke mundësuar jo një fund të negociuar të luftës që siguron të paktën një zonë tampon ukrainase për Evropën, por një triumf të plotë të Rusisë.
Në këtë rast, forcat e Moskës ka të ngjarë të marshojnë drejt Odesës, të aneksojnë 30-50 për qind të territorit ukrainas, dhe ka të ngjarë të vendosen në pjesë të mëdha të kufirit Ukrainë-BE. Ky zhvillim nuk do të ishte vetëm një goditje e fortë për imazhin e BE-në, por do të transformonte ekuilibrin e pushtetit në të gjithë kontinentin në një kahje shumë negative për interesat dhe sigurinë e shteteve anëtare.
Po çfarë po mendojnë udhëheqësit tanë? Me shumë mundësi, ata nuk po mendojnë fare. Evropa po i përmbahet me kokëfortësi një politike vetëmashtrimi, duke i thënë ukrainasve të vazhdojnë një luftë që është e humbur prej kohësh.
E vetmja politikë e arsyeshme do të ishte e kundërta e asaj që po synojnë Macron, Merz dhe Starmer. Tani për tani, miqtë e vërtetë të Ukrainës do t’i thoshin asaj të vërtetën: se një tërheqje nga zonat që ende kontrollohen nga forcat e armatosura ukrainase në rajonet Kherson, Zaporizhzhia, Luhansk dhe Donetsk, së bashku me neutralitetin gjeopolitik, kufizimet në ushtrinë e saj dhe lëshimet e konsiderueshme politike dhe kulturore ndaj Moskës – përkatësisht në lidhje me statusin e gjuhës ruse dhe të Kishës Ortodokse Ukrainase të lidhur me Moskën – është ende e preferueshme ndaj çdo alternative të mundshme, dhe se refuzimi i këtij realiteti do të thotë kompromentim i vetë ekzistencës si shtet të Ukrainës.
Të gjithë e mbajmë mend se si Josep Borrell, paraardhësi i Kaja Kallas si Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, na tha dikur se lufta në Ukrainë do të “fitohej në fushën e betejës”, dhe se negociatat me Moskën do të ishin “qetësim” i agresorit. Kjo qasje e pamend ka udhëhequr politikën ndaj Ukrainës që nga ajo kohë.
Një përzierje toksike e guximit dhe vetëmashtrimit e shtyu Zelenskyn të ndalonte me dekret, çdo bisedime paqeje me rusët. Një vetëmashtrim, që tani është detyruar ta shkelë. Por rruga e dialogut duket gjithnjë e më urgjente për Kievin. Mosndjekja e saj tani, mund ta çojë vendin në katastrofë, dhe BE-në në humbjen e saj më të rëndë strategjike të regjistruar ndonjëherë.
Nëse Zelensky do të pranonte paqen tani, ai do të duhej të pranonte gjithashtu se gaboi kur refuzoi të nënshkruante marrëveshjen relativisht shumë më bujare të paqes që iu propozua nga rusët në Stamboll, në fillimin e vitit 2022. Sikur lufta të kishte mbaruar pak javë pasi nisi, Ukraina nuk do të kishte humbur asnjë territor të ri.
I vetmi lëshim domethënës, ishte heqja dorë nga anëtarësimi në NATO. Tre vjet më vonë, anëtarësimi i Ukrainës në NATO, nuk është as në tryezën e negociatave. Ukraina është e shkatërruar. OKB vlerëson se popullsia e saj do të bjerë nga 52 milionë në vitin 1990, në 15 milionë deri në vitin 2100.
Tani mbijetesa politike e Zelensky-t, është e lidhur me vazhdimin e luftës dhe shmangien e zgjedhjeve të reja presidenciale që ai ka shumë të ngjarë t’i humbasë. Prandaj, nuk është çudi, që me sponsorizimin evropian, presidenti ukrainas po bën çmos për të sabotuar bisedimet SHBA-Rusi, ndërsa deklaron se fundi i luftës është “ende shumë i largët”.
Edhe pse evropianët shqetësohen për drejtimin që ka marrë lufta në Ukrainë, fakti është se ata nuk kanë letrat e duhura për të diktuar trajektoren. Franca është e paralizuar nga një parlament i përçarë. Atje ka një kundërshtim i fortë, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, ndaj çdo aventure ukrainase. Synimet për të shumëfishuar shpenzimet e mbrojtjes së kontinentit mund të tingëllojnë mirë në letër, por nga do të vijnë paratë?
Borxhi publik i vendit është në 3.3 trilionë euro, ose 112 përqind të PBB-së. Deficiti buxhetor ka dalë jashtë kontrollit, teksa po afron kriza e re politike. Zgjedhjet e reja parlamentare mund të mbahen këtë vit, dhe nuk mund të përjashtohet dorëheqja e Macron.
Pra pa përfshirjen e SHBA-së, fundi i rezistencës së Ukrainës është çështje kohe. Të flasësh për një rimilitarizim të madh të Evropës mund të duket e admirueshme, por realitetet financiare janë ato që janë. Ose evropianët do të bëjnë një vetëvrasje ekonomike përmes borxheve edhe më të mëdha, ose do të bien dakord të çmontojnë sistemet e tyre bujare të mirëqenies sociale. Ata nuk do të bëjnë asnjërën.








