- Birra është një nga pijet alkoolike më të vjetra dhe më të konsumuara në botë, me një histori të pasur dhe magjepsëse që daton mijëra vjet më parë. Birra ka luajtur një rol të rëndësishëm në botën e lashtë, si një pije dhe si simbol i pasurisë dhe fuqisë.
Shkruar nga Enea Janko
I. SABAZIUS – Zoti Ilir i birrës
Ne shqiptarët duhet të jemi shumë krenarë për vlerat, kulturën dhe traditat që paraardhësit tanë ilirë krijuan
gjatë shekujve, si pjesë e rëndësishme e qytetërimit evropian dhe atij botëror.
Një nga traditat më të forta të krijuara që nga kohët më të lashta nga Ilirët, ka qënë prodhimi dhe shijimi i birrës,
që nga shumë studiues të mirënjohur të historisë është konsideruar si pija kombëtare e ilirëve ose si “Pija e
Barbarëve”, që i dallonte ato nga grekët dhe romakët të cilët për anologji konsideronin verën si pijen e tyre të
preferuar.
Të dhënat e zbuluara nga studiues të ndryshëm tregojnë se birra është prodhuar shumë kohë më herët se vera
dhe vetë Dionisi i mirënjohur si zoti i verës, ka pasë mbretëruar më parë për një kohë të gjatë si perëndia
arkaike ilire e birrës, me emrin SABAZIUS.
Diodori i Siçilisë në fakt thotë se disa mitologë tregojnë se kanë pasë ekzistuar dy Dionisë. Ai i mirënjohur si
hyjni i verës ishte i mëvonshëm dhe ishte lindur nga Zeusi dhe Semele, ndërkohë që i mëparshmi i quajtur
Sabazius dhe i njohur dhe i adhuruar si hyjnia i birrës ishte lindur nga Zeusi dhe Persefona. Edhe perandori
romak Julian (i cili sundoi nga viti 361 deri në vitin 363 pas Krishtit) ka shkruajtur në një poemë, se ishin dy
Dionisë, njëri perëndi i verës dhe tjetri perëndi i birrës.

II. Birra, e vjetër sa vetë qytetërimi njerëzor!
Birra është një nga pijet alkoolike më të vjetra dhe më të konsumuara në botë, me një histori të pasur dhe
magjepsëse që daton mijëra vjet më parë. Birra ka luajtur një rol të rëndësishëm në botën e lashtë, si një pije
dhe si simbol i pasurisë dhe fuqisë. Birra ka qenë një mënyrë jetese për njërëzit, madje ishte pjesë e fillimit të
qytetërimit mijëra vjet më parë, duke qënë kështu po aq e vjetër sa vetë qytetërimi!
Në Egjiptin e lashtë, birra konsiderohej një dhuratë nga perënditë dhe ishte një pjesë thelbësore e ceremonive
fetare. Sumerët e lashtë gjithashtu besonin se birra ishte një dhuratë nga perënditë.
Në qytetërimet e lashta konsumohej birrë elbi si pjesë e tubimeve sociale dhe ritualeve të besimit. “Prodhimi
i birrës ishte një pjesë integrale e ritualeve dhe festave, një mekanizëm rregullator social në shoqëritë
hierarkike”, cilëson arkeologu i Universitetit të Stanfordit, Dr. Jiajing Wang.
Festimet aktuale janë kremtuar hap pas hapi për mijëvjeçarë me rradhë, duke ndërthurur gëzimin e bollëkut
të të korrave agrare me festën e të vdekurve. Çdo herë, birra ka materializuar këto dy lidhje: një lidhje midis të
gjallëve (festimi vjetor i frutave të para) dhe një lidhje ndonjëherë të rrezikshme midis të gjallëve dhe të
vdekurve.
Duke u nisur nga fuqitë mbirëse të tokës dhe drithrave, birra shërbente si pija e ofruar për hyjnitë agrare që
kontrollonin rritjen e bimëve, rigjenerimin e bimësisë nga viti në vit, pra në fakt bollëkun e përgjithshëm dhe
mirëqënien e vendit. Për t’i adhuruar këto hyjni, birra derdhej si libacion në tokë dhe në altarët e krijuar për
nder të tyre, duke nënkuptuar që kokrrat e drithërave dhe pemëve kishin dalë nga toka dhe duheshin kthyer
përsëri te ajo në formë të lëngshme dhe të fermentuar.
Pirja e birrës simulonte ciklin më të madh të natyrës: ringjalljen (në pranverë), bujarinë dhe frytdhënien (në
verë), këndshmërinë (në vjeshtë) dhe të fjeturën (dimër). Ritet pajtuese të frymëzuara nga birra kryheshin në
çdo hap të ciklit bujqësor: përgatitja/zgjimi i tokës, lërimi/mbjellja e farave, vjelja dhe ruajtja e drithërave që
përfundon mbylljen e vitit agrar.

III. Komunitetet e para agrare, prodhimet e para të birrës!
Rajonet e botës ku prodhimi i birrës është shfaqur si një teknologji primordiale mbulojnë djepet e zbutjes
parësore të drithërave, zhardhokëve ose bimëve të tjera që përmbajnë niseshte. Prandaj, nuk është çudi që
dëshmitë e para të pijeve të fermentuara me bazë drithërat e kanë origjinën kryesisht nga rajonet ku lulëzoi
fillimisht kultivimi i drithit. Prandaj shfaqja e birrës pason lindjen e bujqësisë ose hortikulturës, sepse nuk
mund të kishte birrë pa produktet bujqësore që përmbajnë niseshte, sic janë drithërat.
Të kërkosh gjurmët e prodhuesve të parë të birrës do të thotë të kthehesh pas në kohë dhe të ndjekësh gjurmët
e hortikulturistëve-fermerëve të parë në botë.
Historianët në fillim besonin se bujqësia erdhi sepse qytetërimet e lashta kishin nevojë për të bërë bukë, por
sot ata mendojnë se qytetërimet e lashta donin të mbillnin më shumë drithëra dhe elb jo vetëm për të bërë
bukë, por edhe për të prodhuar pije si birra. Me këtë zbulim, studiuesit tani besojnë se birra nxiti zhvillimin e
epokës bujqësore. Kjo do të thotë se këto dy aktivitete, bujqësia dhe prodhimi i birrës kanë ndikuar në lindjen
dhe zhvillimin e qytetërimit njerëzor.
Në vitin 2018, një ekip studiuesish dhe arkeologësh nga Universiteti i Stanfordit, i udhëhequr nga profesori Li
Liu dhe Dr. Jiajing Wang, ka gjetur prova të formave më të hershme të pijeve të fermentuara, nga 11,700 deri në
13,700 vjet më parë, në shpellën Raqefet, një varrezë Natufian, afër asaj që tani është Haifa, Izrael, ndërsa
shoqëritë e gjuetarëve-grumbullues kaluan në një mënyrë jetese më statike, agrare. Prej andej, mjeshtria e
prodhimit të birrës u përhap në Mesopotami, Egjipt, Greqi, Iliri dhe në mbarë Evropën.
Kjo dëshmohet edhe në librin “Historia e Ushqimit” (Faqja 195) (Maguleonne Toussaint- Samat,) ku shkruhet:
“Nga Iliria, birra u përhap shumë shpejt në zemër të Gjermanisë dhe u bë shumë e njohur”.
Disa nga emrat më të njohura të birrave të ndryshme që janë përdorur që në kohët më të lashta kanë qënë:
• Zythum = birra egjiptiane
• Sabaia = Birra e Ilirikut
• Cervesia = birra keltike prej grurit
• Camum = birra kelte prej elbit
IV. Ilirët – Bujqit dhe prodhuesit e parë të birrës në Evropë
Në gusht 2023, ekipi i projektit EXPLO (bashkëpunim midis Universitetit të Oksfordit, Universitetit Aristoteli të
Selanikut dhe Universitetit të Bernës) përmes gërmimeve të kujdesshme në terren dhe metodës së avancuar
të dendrokronologjisë së kombinuar me analizën e radiokarbonit, doli me përfundime se vendbanimi i fshatit
Lin, i vendosur buzë liqenit të Ohrit në Shqipëri, është vendbanimi më i vjetër parahistorik i njohur në Evropë
që filloi dhe zhvilloi bujqësinë 8-9 mijë vjet më parë, e cila më pas u përhap në Itali dhe në mbarë Evropën.

“Në Evropë, birra si një pije e veçantë është shfaqur rreth 3000 vite para Krishtit”, thotë profesori i historisë i
Universitetit Ëindsor, Max Nelson në librin e tij “Pija e Barbarëve – Historia e Birrës në Evropën e Lashtë”.
Dëshmitë e parë të shkruara për pirjen e birrës në Evropë kanë ardhur nga literatura greke, megjithëse është
mjaft e qartë se grekët e hershëm nuk dalloheshin vetë si pirës të birrës. Ata për herë të parë pirjen e birrës e
kanë ndeshur te fqinjët e tyre, ilirët dhe trakët, në shekullin e VII para Krishtit, kur ndërmorën udhëtimet e tyre
kolonizuese në zonën e Ilirisë, në Dyrrachium dhe Apoloni dhe që atëherë birra u emërtua prej tyre si “Pija e
Barbarëve”, duke u referuar gjithnjë si një pija e fqinjëve të grekëve, sic ishin ilirët, trakët dhe frigët.
“Grekët kishin disa besime pseudo-shkencore për alkoolin, duke pretenduar se vera është një pije e nxehtë
dhe burrërore, ndërsa birra është e ftohtë dhe femërore”, shpjegon profesor Max Nelson. Trajtimi paragjykues
i birrës nga grekët dhe romakët ishte me shumë ndikim dhe pikërisht prej këtij ndikimi birra, dikur një pije
mbretërore për shtresën e lartë shoqërore, u trajtua më pas si një pije e klasit të dytë për shtresat e ulëta.
Homeri, një nga poetët më të famshëm të Greqisë së lashtë i demonstroi këto qëndrime të grekëve në poemat
e tij epike Iliada dhe Odisea, të cilat ai i shkroi në fund të shekullit të VIII deri në shekullin e VII para Krishtit.
Te Iliada, Homeri e konsideronte verën si një pije që tregonte një status të lartë dhe të privilegjuar shoqëror,
prandaj ata që renditeshin më lart në shoqëri duhet që të pinin verën më të mirë. Ndërsa në poemën Odisea,
Homeri tregon që Odiseu e përdorte verën si një mjet për t’u shpëtuar përbindëshave dhe qenieve të tjera që
nuk janë të vetëdijshëm për kulturën greke të pijes dhe efektet dehëse të alkoolit.
Edhe në librin e Aristotelit “Për Dehjen” ose “Simpoziumi” në një pasazh që ka të bëjë me birrën, ai e
konsideron atë si më poshtë:
“Por një gjë e veçantë ndodh në rastin e pijes së prodhuar nga elbi, e ashtuquajtur “pinon”: – ndërsa nën
ndikimin e të gjitha pijeve të tjera dehëse, të dehurit rrëzohen në të gjitha anët, ndonjëherë në të majtë,
ndonjëherë në të djathtë, në pjesën e përparme ose në pjesën e pasme, ata që dehen nga “pinon” bien të
trullosur vetëm së prapthi në shpinë”.
Për sa më sipër është e qartë se Aristoteli në librin e tij synon që ti qesendis ata që pijnë birrë, por është e
paqartë nëse Aristoteli e ka përdorur fjalën “pinon” për të përkufizuar birrën e bërë nga elbi, megjithese
etimologjia e fjalës “pinon” sugjeron një lidhje me foljen shqipe (ilire) pi (pije) ose foljen greke pino (“pi”).
Në shekullin e V p.e.s., Athina hyri në një epokë të artë të eksplorimit shkencor, filozofisë dhe artit. Historianët
shpesh i referohen kësaj periudhe për të vlerësuar rëndësinë e verës kundrejt birrës në shoqërinë e lashtë
greke.
V. Vera është Romake, birra është Ilire
Plini Plaku, një gjeneral dhe autor i shekullit të parë gjatë Perandorisë Romake thotë: “Romakët e vërtetë
konsumonin verë, por “të tjerët” konsumonin birrë.” Ai ka regjistruar se ushtarët nga rajone të ndryshme pinin
birrë një natë para betejës, sipas Travis Rupp, një arkeolog birre në Universitetin e Kolorados.
Mbretërit legjendar ilirë Agroni dhe Genti që sunduan në shekullin III dhe II para Krishtit, ishin të mirënjohur
për pirjen e tyre mbresëlënëse të verës dhe të birrës vendase të prodhuar nga elbi, të quajtur sabaium. Agroni
vdiq nga pirja e tepërt e birrës, ndërsa Genti kur kishte gotën në dorë, nuk dinte ta ruante masën, ndaj bëri
gabime të rënda si sundimtar, thekson historiani dhe arkeologu austriak, Carl Ludëig Patsch në librin e tij
“Ilirët”.

Perandori romak Valens (sundoi 364-378 pas Krishtit) rridhte nga një familje ilire dhe e donte aq shumë birrën
e vendlindjes së tij, saqë iu vendos pseudonimi “sabaiarius”, që do të thotë “burri i birrës”, dhe që përdorej
si një lloj ofendimi ndaj tij.
Ammianus Marcellinus, një historian romak dhe autor i librit “Res Gestae” (Historia e Romës) e shkruar në
shekullin e 4-të, vuri në dukje se kur Valens po rrethonte Chalcedon që ndodhej në pjesën lindore të Bosforit,
në Stambollin e sotëm, banorët vëndas që ndodheshin brenda kalasë për ta ofenduar atë si pirës i birrës, e
thërritnin me tallje “Sabaiarius, Sabaiarius “, për shkak të trashëgimisë së tij ilire.
“Tani, sabaia është një pije e njerëzve të varfër në Iliri, një pije e bërë nga elbi apo ndonjë drithë tjetër”,-
shtjellon Ammianus në librin e tij.
Shënjtori nga Iliria Jeronimi, i cili njihet për përkthimin e parë në latinisht (e njohur si Vulgata) të Biblës apo
Testamentit të Vjetër nga Hebraishtja dhe Greqishtja e vjetër në vitin 382 e.s, duke komentuar një pasazh të
Septuagintës (bibla e vjetër në greqisht), thekson që një pije e prodhuar nga drithërat dhe uji, në provincat e
Dalmacisë dhe Panonisë në gjuhën lokale dhe barbare quhet “sabaium”, dhe Shën Jeronimi, me origjinë nga
Dalmacia, sigurisht që e njihte mirë birrën vendase të Ilirëve.
Episodi i “sabaiarius” zbulon disa nga ndarjet thelbësore shoqërore që shprehnin natyrën bipolare të botës
së vonë antike, si dhe ndarjet politike të momentit.
“Në një fjalë të vetme “sabaiarius” vendosen përballë njëra tjetrës birra dhe vera; pirja e moderuar dhe dehja;
të varfërit dhe të pasurit; ushtari dhe qytetari; idealet klasike greke të kulturës dhe shpirti luftarak ilir; qytetaria
dhe fshatarësia” – thekson Dr. Danijel Džino, Lektor dhe studiues në Departamentin e Historisë dhe
Arkeologjisë në Universitetin Macquarie, Sydney.






