Gazetari Milaim Zeka ka thënë se në fillim të vitit 2022, në muajin shkurt, është mbajtur një takim sekret mes shefit të shërbimit të Milo Gjukanoviqit në hotelin “Park Hyatt” në Cyrih, së bashku me Darko Peroviqin, i cili jeton dhe është biznesmen, me Faik Imerin dhe një person tjetër në cilësinë e prokurorit të Hagës.
Në takim i është thënë shefit të sigurimit malazez se kanë dosje të rënda për presidentin Milo Gjukanoviq, duke thënë se, për të mos u arrestuar nga CIA amerikane, duhet të jepen 100 milionë dollarë në “Black account” dhe të dëshmohet kundër Hashim Thaçit.
“Të njëjtën gjë kanë tentuar me ia dërguar Halitit, për të kërkuar para nga familja e Thaçit dhe ekzistojnë dokumente të fabrikuara nga Faik Imeri, sipas të cilit gjoja edhe Blerim Devolli i ka dhënë 10 milionë euro”, ka thënë Zeka në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ai tutje ka deklaruar se Imeri ka përgjuar prokurorë dhe persona të ndryshëm.
“Ai i ka përgjuar diku 32 dhoma të Swiss Diamond Hotel, me BIA-n serbe, me ndihmën e BIA-s serbe. Çfarë nuk ka bërë… Planet e tij kanë qenë që të flasë kundër meje tek ti, ti kundër meje – luftë speciale”, ka thënë ai.
Zeka është pyetur nga moderatori Ermal Panduri nëse e ka vizituar në Spanjë Halit Sahitajn.
“Çelësi i krejt këtyre muhabetëve është Halit Sahitaj. Tash për mirë… nuk ka punë më madhështore për trupin gjykues, nuk ka ndihmë më të madhe që i është bërë trupit gjykues, sepse janë palë të zbuluara – Prokuroria, palë janë të akuzuarit. Trupi gjykues duhet të marrë vendim në favor të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pikërisht duke pasur përballë dëshminë e Halit Sahitit. Unë çuditem se si avokatët e këtyre të katërve nuk kanë tentuar as të më kontaktojnë mua, as Halit Sahitajn për të shkuar e marrë në Spanjë”, ka thënë ai.









