Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka asnjë ngjashmëri me Republikën Srpska dhe se ai do të jetë nën Kushtetutën e Kosovës.
“Nuk është një Republikë Srpska, aspak. Lexoni sërish Marrëveshjen e Dejtonit. Po shënojmë 30-vjetorin e Dejtonit. Lexoni se çfarë është Republika Srpska dhe krahasojeni me statutin. Nuk ka asnjë ngjashmëri. Nuk ka polici për Asociacionin. Nuk ka funksion legjislativ për Asociacionin. Asociacioni do të jetë nën kushtetutë, jo pjesë e kushtetutës siç është Republika Srpska”, tha Guerot.
Ai shtoi se mund të japë edhe “argumente të tjera” në lidhje me këtë temë.
“Pika tjetër: mirë, le të themi që Kosova e merr seriozisht këtë dhe e dërgon statutin në Gjykatë dhe fillon implementimin. A do të ndryshojë diçka? Po, po marr një rrezik personal, por po: do të ndryshojë shumë atmosferën në kryeqytetin tim”, tha ai.
“Dhe kështu Kosova mund të rikthehet në një situatë më të mirë për sa i përket reputacionit”.








