Aleksandar Vuçiç nuk dëshiron që Serbia të jetë më afër Perëndimit dhe Bashkimit Evropian. Qëllimi i tij përfundimtar është të qëndrojë në pushtet duke luajtur me të dyja palët: duke mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, teksa merr përfitime ekonomike nga BE-ja.
Java e kaluar shënoi “Ditën e Fitores” në Rusi, festimin e fitores që mposhti nazistët, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Dita e Fitores në Rusi nuk zhgënjeu, duke simbolizuar një ngjarje krenarie, patriotizmi dhe propagande.
Vladimir Putin e pranon se politika globale ndikohet shumë nga perceptimi, dhe avantazhi është në anën e palës që e kontrollon informacionin. Për ta portretizuar Rusinë si një fuqi globale të rëndësishme, 20 e ca udhëheqës botërorë iu bashkuan Kremlinit në festime.
Dy prej tyre – Aleksandar Vuçiç i Serbisë dhe Robert Fiko i Sllovakisë – përfaqësojnë suksesin e Rusisë në rezistencën ndaj izolimit diplomatik perëndimor, legjitimimin e ndikimit të saj global dhe sfidimin e presionit të BE-së.
Pavarësisht zërave se ata do ta anulonin vizitën e tyre, për shkak të problemeve shëndetësore, presidenti serb dhe kryeministri sllovak mbërritën në Moskë përpara festimeve të Ditës së Fitores më 9 maj. Vuçiç postoi imazhe nga Moska në llogaritë e tij në mediat sociale, duke thënë se i kishte “dhënë fjalën” Putinit se do të merrte pjesë dhe se “bëra atë që thashë”.
Ndërkohë, Fiko e kritikoi BE-në për paralajmërimin që i kishte bërë të mos merrte pjesë në paradë. Ai theksoi se është udhëheqës i një shteti sovran, duke shtuar: “Askush nuk mund të më tregojë se ku të shkoj dhe ku jo!”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i vlerësoi të dy udhëheqësit për “aktin e tyre heroik” kundër “presionit të hapur dhe të pakufizuar” nga Bashkimi Evropian. Evropa bëri thirrje sërish për ndërprerje të armiqësive në “luftën e agresionit të Rusisë”, ndërsa kryeministri britanik thotë se Putini duhet “të paguajë çmimin për shmangien e paqes”. BE-ja kërcënoi Fikon dhe Vuçiç për udhëtimin e tyre në Rusi. Brukseli e kishte kritikuar planin e Vuçiçit për të marrë pjesë në festime, duke thënë se kjo do ta përbënte një shkelje të hapur të kritereve të përcaktuara të bllokut për anëtarësimin e Serbisë.
Brukseli duhet ta kuptojë se Vuçiç nuk është i interesuar t’i bashkohet bllokut. Ai e mban derën hapur për anëtarësim në BE, vetëm për të shfrytëzuar fondet e saj. Por ai nuk ka interes ta përafrojë Serbinë me rregullat e rrepta të BE-së në lidhje me korrupsionin, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.
Madje, një nga gjërat e para që bëri Vuçiç me ardhjen në pushtet, ishte ta dëmtonte opozitën politike pro-perëndimore, ndërsa i forcoi grupet e ekstremit të djathtë për të përmirësuar pozicionin e tij politik. Nga ana tjetër, po përballet me protesta masive në vend, pasi shembja e çatisë në një stacion hekurudhor në qytetin e Novi Sadit, vrau 16 persona.
Në fund të fundit, Vuçiç ka nevojë për Putinin. Për këtë qëllim, udhëheqësit perëndimorë janë përpjekur ta qetësojnë presidentin e Serbisë duke ofruar stimuj, duke përfshirë iniciativa ekonomike dhe investime, me shpresën për ta bërë atë një partner.
Por ky është një mund i kotë. Vuçiç nuk dëshiron që Serbia të jetë më afër Perëndimit dhe Bashkimit Evropian. Qëllimi i tij përfundimtar është të qëndrojë në pushtet duke luajtur me të dyja palët, duke mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, ndërsa vazhdon të ketë përfitime ekonomike nga BE-ja.
Putini e poshtëroi Brukselin duke pritur Vuçiçin dhe Fikon në Moskë, dhe duke siguruar që përgjigja e BE-së të mbetet e dobët dhe kryesisht retorike, pra pa pasoja konkrete. Sepse pavarësisht kërcënimeve të BE-së dhe vizitës së Vuçiçit në Moskë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, vizitoi Vuçiçin më 13 maj në Beograd, duke theksuar se Serbia është “plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të pranimit në BE”.
Ndërkohë, deputetja britanike Ema Leuell i dorëzoi Sekretarit të Jashtëm Britanik David Lami një letër, e cila u bashkë-firmos nga 25 parlamentarë të tjerë, për të dënuar vizitën e Vuçiçit në Moskë. Ajo i bëri thirrje “qeverisë Starmer të ndryshojë kurs, duke filluar me një sërë sanksionesh të mëdha kundër qeverisë serbe dhe bashkëpunëtorëve të saj….”
Tani, Brukseli duhet të vërë në zbatim kërcënimet e tij ndaj Serbisë dhe Sllovakisë. Së pari, BE-ja duhet të ndërpresë financimin për Vuçiçin, pasi fondet e pranimit në BE e forcojnë regjimin e tij autoritar. Brukseli nuk duhet të ketë frikë nga përshkallëzimi i situatës nga Beogradi, pasi Vuçiç ka nevojë për BE-në, më shumë sesa BE-ja ka nevojë për Vuçiçin.
Kjo masë e fortë ndëshkuese do t’i dërgojë gjithashtu një sinjal të qartë Moskës dhe Beogradit se BE-ja është serioze në lidhje me ruajtjen e vlerave të saj, të cilat Vuçiç duket se mendon se mund t’i shfrytëzojë.
Së dyti, Brukseli duhet ta trajtojë Fikon ashtu siç e trajton Viktor Orban, dhe t’i imponojë kosto më të gjera financiare, duke e legjitimuar fuqinë e BE-së dhe duke dhënë shembullin e kërcënimeve të besueshme, që pasohen nga masat konkrete.
Pavarësisht mburrjes së Fikos dhe Vuçiç, strategjia e tyre politike është jashtëzakonisht e brishtë, dhe BE-ja nuk duhet të bjerë pre e lojërave të tyre. Përshtatur nga “Kyiv Post”






