spot_img
Wednesday, December 17, 2025
spot_img

Pse Trump u ‘dashurua’ me princin saudit dhe u lodh nga Netanyahu?

Për princin saudit përqafime dhe deklarata të përsëritura simpatie: «Më pëlqen, më pëlqen shumë». Për kryeministrin izraelit as edhe një vizitë gjatë udhëtimit të parë në Lindjen e Mesme: Jeruzalemi u anashkalua dhe u demonstrua një ftohtësi pa precedentë.

Nuk mjafton për të thënë se Donald Trump është gati t’i rezervojë Benjamin Netanyahut një trajtim të ngjashëm me atë të Zelensky-t, por kur mendon që Izraeli ka qenë gjithmonë i paprekshëm për të – ndërsa Ukraina nuk e ka ngazëllyer asnjëherë – ndryshimi i tonit bie në sy.

Duke ndjekur këtë paralele, fiksimi për Mohammed bin Salman, ose MbS, princi i kurorës saudite, ka shumë ngjashmëri me pëlqimin e Donaldit për Putinin: një admirim për karakterin e vendosur (për të mos thënë autoritar) dhe mënyrat brutale, një lloj zilie për shkurtoret vendimmarrëse që mundësohen nga zhdukja e çdo aspirate demokratike, dhe mbi të gjitha një afinitet “vlerash” shumë materiale: mundësia për të bërë biznes pa kufizime dhe pa pengesa. Gjë që me Rusinë do të jetë e mundur sapo Trump të zgjidhë “problemin e bezdisshëm” të Ukrainës dhe të heqë sanksionet ndaj Moskës.

Me MbS, përkundrazi, martesa e biznesit tashmë është kurorëzuar dhe po jep fryte të bollshme. Dhe është gjithashtu një aleancë strategjike, që pengon planet izraelite për një luftë të pafund në Gaza, por që, të paktën për momentin, nuk e konsideron të ardhmen e Gazës dhe të palestinezëve si përparësi. Edhe pse qarkullojnë zëra për një plan paqeje që presidenti amerikan mund të shpallë të premten. Dhe me të, siç është kuptuar tashmë, surprizat nuk përjashtohen kurrë.

Në fakt, nuk do të ishte hera e parë: marrëveshjet e tij të Abrahamit të vitit 2020 – që sollën njohjen reciproke mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara, Bahreinit, Marokut dhe Sudanit – përfshinin një shtet palestinez të përshkruar në çdo detaj, me firmën e Netanyahut. Që pastaj, si zakonisht, ishte mjeshtër në përfitimin e njohjeve pa lënë as edhe një gjurmë të Palestinës.

Ajo që është e qartë tani është se, përkundër pretendimeve për izolacionizëm, veprimet e Trump tregojnë një qasje shumë aktive dhe pragmatike. Ai është kritik me ideologët e ndërtimit të kombeve – qoftë neokonët e djathtë apo liberalët e majtë – të cilët synonin të impononin në rajon ndryshime regjimesh, vlera perëndimore dhe demokraci. Ndërkohë që sipas Trump-it, e vetmja gjë që ka rëndësi është të heshtin armët dhe të rivendoset njëfarë rendi, në mënyrë që të mund të bëhen më në fund bizneset.

Për këtë arsye tani MbS i pëlqen më shumë se Bibi: sepse nuk është më i fiksuar si ai, sidomos me Iranin.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, trashëgimtari impulsiv i fronit saudit veproi si një princ i kaosit: bëri të zhdukej në mënyrë brutale gazetari disident Jamal Khashoggi, nisi luftë kundër Houthive në Jemen, e mbajti peng për katër ditë kryeministrin libanez për ta detyruar të largonte Hezbollah-un pro-iranian nga qeveria, dhe vendosi një embargo nga vendet e Gjirit kundër Katarit – edhe kjo për shkak të lidhjeve me Iranin. Pra, gjithçka për të frenuar boshtin rajonal të ndërtuar nga Teherani.

Por në vitet që Trump ishte larg Shtëpisë së Bardhë, fiksimi i MbS me Iranin është zbehur deri në atë pikë sa ka bërë paqe me të, me ndërmjetësimin e kinezëve. Katari është ri-integruar në konsorciumin e fuqive naftëmbajtëse të Gjirit. Ndërkohë që Izraeli ka bërë punën e pistë për të goditur Iranin, Hezbollahun dhe Hamasin, duke e dobësuar regjimin e Assadit në Siri.

Me Iranin të zbutur dhe të joshur, për princin saudit nuk ka më nevojë për një marrëveshje formale me shtetin hebraik. Dhe ndërsa dikur, ashtu si Izraeli, kundërshtonte çdo marrëveshje mbi programin bërthamor iranian, tani shtyn Trump-in të arrijë një marrëveshje me Teheranin, pasi e ka bindur që të heqë sanksionet ndaj Sirisë dhe t’i shtrijë dorën presidentit të ri sirian Ahmed al Sharaa – i cili, megjithatë, vazhdon të jetë në listën amerikane të terroristëve. Bota përmbysur.

Kuptimin e gjithë kësaj, analisti izraelit Zvi Bar’el e përmbledh me pak rreshta, siç di të bëjë një mjeshtër i analizës: «Arabia Saudite është tani një aset strategjik për të cilin Trump është i angazhuar, ndërsa Izraeli po bëhet me shpejtësi një barrë strategjike. Arabia Saudite ka çelësin e stabilitetit rajonal dhe Trump ka nevojë për të për të fituar avantazhe ekonomike dhe diplomatike».

Në mes qëndron Gaza, e cila ka shumë rëndësi, por jo aq sa të bëhet vendimtare. Para 7 tetorit, normalizimi i marrëdhënieve midis izraelitëve dhe sauditëve dukej shumë afër. Dhe ishte. Do të kishte qenë triumfi i Netanyahut: paqe me fuqinë më të madhe ekonomike dhe simbolike sunnite, ruajtëse e vendeve të shenjta të Islamit, pa dhënë asgjë për një shtet palestinez në këmbim.

Autoriteti Kombëtar Palestinez ishte i dorëzuar përballë këtij fundi, duke u kënaqur me kompesime ekonomike. Sauditët ishin lodhur duke kërkuar një Palestinë që kurrë nuk vinte: njohja e saj ishte kusht për njohjen e Izraelit nga i gjithë bota arabe, një ofertë që kishte nisur që në vitin 2002 me Nismën për Paqe. Atëherë, përpara 7 tetorit, çmimi për MbS ishte një marrëveshje mbrojtjeje me Shtetet e Bashkuara dhe drita jeshile amerikane për programin civil bërthamor saudit. Por e djathta izraelite, e dyshimtë, u tregua e ngadaltë dhe humbi rastin.

Tani, pas gati 600 ditësh masakër në Gaza, MbS e di se nëse do të njihte Izraelin duke braktisur palestinezët, miliona arabë do ta prisnin shumë keq. Prandaj, ai ka rikthyer kushtin: njohja e Izraelit vetëm nëse ka njohje edhe për Palestinën – ose të paktën një angazhim të ndjeshëm, madje: “hapa të pakthyeshëm” në këtë drejtim.

Por ka më shumë: normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin nuk është më kusht për marrëveshjet ushtarake midis sauditëve dhe kampit të Trump-it, të cilët po shohin njëri-tjetrin në sy dhe po i pëlqejnë gjithnjë e më shumë. Marrëveshja për mbrojtje dhe programin civil bërthamor do të bëhet gjithsesi. Dhe kjo e lë Izraelin edhe më jashtë loje.

Po ashtu, pasi tashmë kanë marrë atë që donin nga amerikanët, është e vështirë që sauditët ta kenë më prioritet krijimin e një shteti palestinez. Por ndërkohë, ata kanë ndaluar deliret e Trump-it për “Rivierën e Gazës” të zbrazur nga palestinezët. Deportimi masiv që e djathta izraelite ëndërron tani ka veton personal të Trump-it, sepse do të dëmtonte marrëveshjet e tij me partnerët arabë.

Por presidenti amerikan këto ditë ka shkuar edhe më tej: ka negociuar drejtpërdrejt me Hamasin për lirimin e pengut të “tij”, izraelito-amerikanit Edan Alexander, dhe ka mbështetur disa plane për Gazën. Njëri do t’i jepte Amerikës menaxhimin e ndihmave humanitare për popullsinë, të cilat janë gjithnjë e më urgjente për shkak të situatës dramatike; një tjetër do t’i jepte madje administrimin e Rripit të Gazës, në modelin e Irakut pas Saddam Husseinit, por bashkë me një qeveri teknokratësh palestinezë, që nuk i përkasin as Hamasit as Autoritetit Kombëtar Palestinez.

Në këtë kuadër, Hamasi madje ka dhënë sinjale gatishmërie për çarmatimin, me dorëzimin e armëve tek ndërmjetësit arabë dhe lirimin e pengjeve izraelite e të të burgosurve palestinezë.

Me pak fjalë, ndërsa Netanyahu shpall një ripushtim të afërt, Trump përshkruhet si “i ngopur me të” dhe i vendosur t’i imponojë të paktën një armëpushim. Në atë pikë, mes dy miqve të vjetër do të vinte çasti i përplasjes: Bibi do të duhej të zgjidhte midis nënshtrimit ndaj Donaldit, duke rrezikuar prishjen e koalicionit të vet që kërkon luftën – dhe Trump, që do të duhej të zgjidhte nëse do ta çonte deri në fund logjikën e biznesit, siç i kërkon e djathta e tij ekstreme, e cila është lodhur së paguari faturën ushtarake të Izraelit. Ndërsa sauditët e paguajnë vetë, dhe jo pak: 142 miliardë dollarë të vendosur me shkrim në marrëveshje.

Kjo është arsyeja pse tani ata janë aktivi strategjik i Trump-it.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit