spot_img
Wednesday, December 17, 2025
spot_img

Si shkuan shqiptarët vullnetarë në Luftën e Çanakalasë!?

Nga Driton Tali

Ka kohë që lexojmë e dëgjojmë herë për “shkuarjen e 25000 shqiptarëve në xhihad për Din e Devlet”, e herë-herë për “vdekjen e mëse 25000 shqiptarëve për Din e Devlet” në Luftën e Çanakalasë, mars 1915 – janar 1916 (realisht bombardimet e para filluan me 19 shkurt dhe Lufta zyrtarisht përfundoi me 9 janar 1916).

Se që shkuan shqiptarët, ate nuk e vënë fare në dyshim – e marrin si fakt i qenë – akt i kryer. Veç mospajtimet janë në dilemën se: a shkuan 25 mijë apo vdiqën 25 mijë?

Dhe këtë diskurs e zhvillojnë jo vetëm disa individë me koshiencë fetare islame dhe disponim neotoman, por edhe “historianë” (të paktën me diploma).

Ka shumë nga këta “historianë” shqiptarë që kanë debatuar për këtë çështje në këtë frymë. Fare pa u futur në analiza të rrethanave! Se për të dhëna shkencore as nuk mund të flitet. Si fakte i marrin varret e të vrarëve në “Parkun Kombëtar Historik”, ku figurojnë emra ushtarësh të vrarë nga vendbanimet e ndryshme shqiptare të “Rymelisë”. Bile disa nga ata bien qesharakë kur si fakte historike përdorin disa këngë folklorike (të përkthyera dhe adaptuara nga turqishtja).

E realisht, nëse i analizojmë të ashtuquajturat PEST forcat (Politike, Ekonomike, Sociale dhe Teknologjike) të kohës shohim se gjasa teorike nuk ka patur që shqiptarët, qoftë nga Vilajeti i Kosovës (si më i madhi i kohës), apo ai i Shkodrës, e Manastirit ose Janinës të shkojnë në “mënyrë të organizuar në xhihad për Din e Devlet”.

Të nisemi nga faktorët social dhe ekonomik.

Sipas regjistrimit të popullatës, me 1908, në Vilajetin e Kosovës jetonin diku pak mbi 500 mijë shqiptarë (në atë të Manastirit mbi 200 mijë). Grupi tjetër me i madh i banorëve të këtyre vilajeteve ishte komuniteti osman – turk. Por edhe përqindja e komunitetit serb ishte rritur (në Vilajetin e Kosovës) sepse propaganda serbe kishte arritur që komunitetin shqiptar ortodoks (arbanasët) t’i asimilonte në serbë, dhe komuniteti bullgar në atë të Manastirit etj.

Siç dihet, Vilajeti i Kosovës u fut në luftëra (kryengritje) që nga viti 1908. Ku sidomos vitet 1912 – 1913, pra dy luftërat ballkanike, ishin fatale për shqiptaret.

Sipas autorëve serbë u vranë rreth 120 mijë shqiptarë, shumica aposlute e tyre mashkuj. Si dhe pati dhunime industriale ndaj grave shqiptare, dhe plaqkitje e djegije dhe shkatërrime të pronës së tyre.

Nëse i lexojmë bie fjala Dimitrije Tucoviçin (i cili ishte lajmëruar si vullnetar për Luftën e Parë Ballkanike), Leon Trockin (i cili ishte korrespodent i “Keiv Misl” (Kievskaya Mysl) apo letrat e Branislav Nushiçit (i cili ishte zyrtar i Mbretërisë së Serbisë, të jepet përshtypja se vrasjet e kalonin 200 mijëshin.

Pra në një popullatë 500 mijëshe të vrarë rreth 200 mijë, shumica mashkuj, edhe ate vetëm në luftërat ballkanike 1912 – 1913, pa i llogaritur kryengritjet nga viti 1908.

Edhe Vilajeti i Shkodrës e pati fatin e njejtë. Në rrethimin e Shkodrës, tetor 1912 – prill 1913, sipas gazetarit italian Gino Berri, i cili qëndroi në Shkodër gjatë tërë rrethimit por edhe Edit Durhamit, mbi 60 % e Shkodrës ishte shkatërruar.

Ngjashëm pësuan edhe territoret jugore shqiptare (Vilajeti i Manastirit dhe Janinës), qoftë nga ushtria serbe, bullgare apo nga ajo greke.

Në këto lufta të pa ndërprera popullata jo vetëm që nuk mundte të punonte tokën (bujqësia ishte industria kryesore) por edhe bagëtia ju plaqkit. Andaj, me 1913 – 1914 shfaqet depresioni ekonomik i shoqëruar me urinë.

Pra, nga një popull i dërmuar, si në aspektin demografik (kishte familje të tëra ku në mungesë të mashkujve gjyshet kishin mbetur Zot shtëpie) e po ashtu edhe në aspektin ekonomik, si paska patur mundësi që mbi 25 mijë mashkuj në mënyrë të organizuar të shkojnë në xhihad për Din e Devlet?!!!

Tashti të ndalemi pak shkarazi e ta analizojmë aspketin politik se çfar ndodhi në territorin shqiptar kur zhvillohej Lufta e Çanakalasë.

Në Çanakala, bombardimet e para, nga flota britanike dhe franceze, ishin me 19 shkurt 1915. Çërçilli, fillimisht nuk angazhoi as ushtarë pos ekuipazhit të domosdoshëm të flotës, sepse ishte i bindur që me paraqitjen e flotës britanike (Drednotët famozë) në Ngushticën e Dardaneles turqit do të frigohen dhe brenda tre ditëve ushtria britanike – franceze do të futej në Kostandinije (Stambollin e sotëm).

Siç dihet Lufta e Madhe (që më vonë quhet Lufta e Parë Botërore) filloi me 28 korrik 1914. Në këtë kohë Serbia veç i kishte pushtuar ish Vilajetin e Kosovës dhe më shumë se gjysmën e ish Vilajetit të Manastirit (territor të cilën ajo e quante Serbia e Vjetër – “Stara Serbia”).

Me 25 korrik 1914 e kishte shpallur mobilizimin e përgjithshëm kombëtar, ku për një javë arriti t’i mobilizonte rreth 300 mijë ushtarë.

Beteja e parë me ushtrinë austrohungareze shënohet në Cer – Beteja e Cerit (Cerska Bitka, me 2 gusht 1914.

Nga ajo kohë popullata serbe, e cila jetonte gjithandej rreth kufirit me Austrohungarinë, fillon të evakohet kah Serbia qendrore dhe ajo jugore.

Pas disa ditëve (gusht 1914), fillojnë edhe bombardimet e para të Beogradit. Për këtë arsye edhe nga Beogradi popullata civile follon të largohet në drejtim të Serbisë qendore dhe asaj jugore.

Nga shtatori i 1914’ës, shpeshtohen bombardimet e Beogradit, dhe ushtria Austrohungareze fillon të futet në territorin e Serbisë.

Në fillim të tetorit (të 1914’ës), para se të pushtohet Boegradi, establishmenti shtetëror serb largohet nga Beogradi. Kuvendi i Serbisë, bie fjala zhvendoset në Nish. Dhe shumë departamente shtetërore në qytete tjera si p.sh., në Vranjë por edhe në Prishtinë, Kumanovë, Shkup, Ohër etj. Edhe një numër goxha i madh i popullatës serbe, të ikur nga Lufta me Austrohungarinë, zhvendosën në “Stara Serbi”.

Pra, Kosova dhe Maqedonia, e vrarë dhe e dërmuar demografikisht dhe ekonomikisht, nga tetori i 1914’ës, pra ende Turqia pa u futur në luftë, ngulfatet me popullatë serbe dhe institucione shtetërore të Serbisë.

Ishte kohë e panikut ku institucionet e sigurisë, qofshin ato policore apo ushtarake, e sidomos “Crna Ruka” (dora e zezë) ishte tmerr jo vetëm për shqiptarët por edhe për ata serbë që nuk donin të mobilizoheshin për çfardo arsye qoftë.

Kjo situatë e jashtëzakonshme zgjati për më shumë se një vit, deri në nëntor të 1915’ës (pra deri kur pothuajse Lufta e Çanakalasë kishte përfunduar) kur u hap “Fronti i Selanikut”, dhe Serbia u tërhoq nëpërmes Shqipërisë për në Greqi, dhe Britania e Franca i tërheqin disa divizione nga Çanakala.

Pra, në një situatë të jashtëzakonshme e tmerrësisht të tendosur, kur “stoku mashkullor” shqiptar ishte zvogluar në minimum, për shkak të kryengritjeve të pa ndërprera dhe gjenocidit të 1912-1913, e kur “Crna Ruka” ju kishte futur panikun në palcë civilëve, atëhere zotërinjë historianë: si paskan mundur shqiptarët të mblidhen dhe në mënyrë të organizuar të shkojnë në xhihad për Din e Devlet, mbi 900 km larg!!!?

Sidoqoftë, hajt për një moment të supozojmë se “mundësia e organizimit” ishte. Pra edhe këtë “mision të pamundur” ta pranojmë.

Të supozojmë se shqiptarët, si një “popull i disciplinuar” u organizua në mënyrë klandestine, në sekretin e plotë, pra duke ju ikur syrit të popullatës serbe (si “Kolonë e Pestë” që ishte), dhe “Crna Rukës” e institucioneve tjera shtetërore, por pyetja e radhës që shtrohet është si udhëtuan mbi 900 km?!

Sepse, transporti hekurudhor ishte pezulluar. Nëpërmes detit (siç e lexova njërin) mund të thotë veç dikush që fare s’ka njohuri për Ngushticën e Dardaneleve, dhe për këtë luftë.

Lufta në Çanakala ishte aq e ashpër sa “edhe peshqit” kishin ikur nga aty. Gjasat që në atë ngushticë të lundronin anijet me vullnetarë për xhihad kanë qenë edhe më të vogla se sa të themi që 25 mijë veta, të kishin tentuar, me 1992, nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në mënyrë të organizuar t’i shkonin ndihmë boshnjakëve në “Rrethimi e Sarajevës” nëpërmes Pales dhe Jahorinës.

Njohësit e “Rrethimit të Sarajevës” e kanë të qartë se çfarë po them. Me që e morra këtë krahasim, të them se edhe në Sarajevë pati shqiptarë që luftuan në anën e boshnjakëve, qoftë si oficerë karriere qoftë si luftarë të thjeshtë.

Pastaj, nëpërmes Bullgarisë e Greqisë, s’ka patur shanse deri në tetor të 1915’ës (keni parasysh Beteja e Çanakalasë, ta përsërisë edhe njëhere, kulmin e kishte nga prilli deri në gusht të 1915). Sepse ato dy shtete ishin neutrale. Pra as me qerre e me kalë nuk ka patur mundësi të udhëtohej nëpërmes Bullgarisë dhe Greqisë.

Sidomos Bullgaria ishte shumë e kujdesshme ngase akoma ishte “në pazar” edhe me Aleatët edhe me Boshtin.

Për më tepër, xhihadistët entuziastë shqiptarë, të cilët e kanë dashur aq shumë Devletin, nga mesi i majit të 1914’ës (pra ende zyrtarisht pa filluar Lufta e Madhe), e patën “xhihadin” në Shijak, dhe nuk kanë patur arsye të udhtonin mbi 900 km.

Sa i përket kryengritjes së “Hazreti Qamilit”, sipas mendimin tim nuk ishte e rastit pse në Shqipërinë e Mesme pati kryengritje, e jo në Veri apo Lindje a Jug të Shqipërisë. Sepse, Shqipëria e Mesme, ishte më e kursyera nga luftërat e viteve 1908 – 1913, andaj kishte edhe “azganë” që mund të rebeloheshin për Devlet e Babën Sulltan.

Për juve “historianë” që nuk e keni ndjenjen e kohës dhe bieni preh e influencave të kohës, për t’iu tregu se sa ishte Serbia dominante, ta ceki faktin se kur Haxhi Qamili i mposhti forcat e East Pashës (“pobratimit” të Pashiçit) dhe u bë “mbreti” i Shqipërisë Qëndrore, me 2 qershor 1915, forcat serbe u futën në Shqipëri si në “bashqe të babës”, dhe e kapën për veshi Haxhi Qamilin, i cili me 16 gusht u dënua me varrje.

Pra me 2 qershor (16 gusht) 1915, kur Lufta në Çanakala ishte në kulmin më të madh, kur tekstualisht “ecej mbi kufoma”, Serbia ishte “këmbëkryq edhe në Shqipëri, se lere më në Kosovën e sotme dhe Maqedoninë Veriore.

A e shihni sa pa lidhje flisni?!

Tashti, t’i analizojmë ata të cilët vdiqën në atë betejë e në varret e të cilëve figurojnë vendbanimet shqiptare nga Manastiri, Vlora, Shkupi, Elbasani e deri në Pazarin e Ri.

Pasi që kurrfar gjasash nuk ka patur të organizohen shqiptarët dhe të udhtojnë për në Çanakala (kurse dokumente historinë nuk ka) logjikisht rrjedh se ata ishin ose oficerë karriere ose ushtarë nizam (myvazaf), që kishin ngel nga 1912’ta pér arsye të ndryshme në ushtrinë turke.

Natyrisht kishte edhe të tillë që kishin lindur në territoret shqiptare por të shpërngulur në Turqi.

Sa për hirë të argumentit, për fund të them se, sikurse në atë luftë të vritej Mustafa Kemajli, sot në varrin e tij do të shkruante “Mustafa Kemajl – Selanik”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit