Me rastin e përvjetorit të 26 të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë kriminale të Millosheviqit, drejtori i zyrës serbe për propagandë kundër Kosovës Petar Petkoviq ka deklaruar: “Kujtojmë dhe nuk harrojmë 78 ditët e agresionit të NATO-s, kur e drejta ndërkombëtare u shkel paturpësisht për të justifikuar dhunën kundër “popullit” serb dhe tentativën e paligjshme për shkëputjen e Kosovës, dhe kur ata bombarduan urat, spitalet, rrugët dhe shtëpitë tona për të na e thyer shtetin dhe për ta gjunjëzuar atë”.
Sipas fjalëve të tij, “bombat kriminale të NATO-s nuk bënin dallim mes gjinisë dhe moshës”.
“Gjatë këtij agresioni u vranë 81 fëmijë serbë, duke u përpjekur kështu të na shuanin rininë dhe donin të na shuanin të ardhmen, të na merrnin Kosovën, por shumica kanë llogaritur gabim atëherë a edhe sot. Serbia dhe populli serb janë ngritur, duke ndërtuar një Serbi të qëndrueshme, ekonomikisht të fortë dhe politikisht neutrale për 13 vitet e fundit me Aleksandar Vuçiqin në krye, nuk ka harruar Petkoviqi detyrën e tij t’i servilizohet shefit të tij.
“Sot, kur vendi ynë sulmohet nga jashtë, vetëm me metoda të ndryshme, është detyrimi ynë të mbrojmë, mbi të gjitha, Serbinë tonë, harmoninë, unitetin dhe paqen tonë. Këtë ua detyrojmë paraardhësve tanë, atyre që dhanë jetën për vendin tonë dhe brezave tanë, fëmijëve tanë për të cilët duam të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë”, ka përfunduar propagandën e tij Petkoviqi.








