Të ardhurat e sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë si dhe qerave të objekteve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë dyshohet të jenë keqpërdorur për tre vjet me radhë.
Që nga viti 2020 deri më 2022 parat e BIK dyshohet të jenë tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të.
Personi që po dyshohet se i ka përvetësuar qindra mijëra euro është ish-arkëtari i Bashkësisë Islame për Prishtinë, Bahri Rexha.
Në Kallzimin Penal thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari duke keqpërdorur besimin në cilësinë e arkëtarit të KBI, në vazhdimësi nga viti 2020, 2021, 2022, dhe 2023, me qëllim të përfitimit material, ka keqpërdorur fondetet nga buxheti i Bashkësisë Islame të Kosovës.
Për rastin ka reaguar avokati i Bahri Rexhës, Kastriot Feka.
“Bashkësia Islame e Kosovës padrejtësisht e ka suspenduar nga puna z. Bahri Rexha, i punësuar në pozitën e arkatarit në këtë institucion, me pretendimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Kjo ngaqë ata nuk kanë paraqitur asnjë fakt ose provë që mund të justifikojnë këtë vendim të paligjshëm. Po e përsëris – asnjë fakt apo provë të vetme”, thotë Feka në reagim.
Reagimi i plotë i avokatit Kastriot Feka, i cili e përfaqëson Bahri Rexhën:
Sqarim lidhur me 166 mijë eurot e zhdukura në Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Prishtinë
Sot, dyshimi kryesor është se ku kanë mbetur 138 mijë eurot e tjera, nëse i marrim sikur të “mirëqena” (ndonëse nuk kanë bazë juridike) arsyetimet se Bahri Rexha i ka marrë fillimisht 11 mijë euro, e më pas edhe 17 mijë euro të tjera, siç është deklaruar gjatë ditës së sotme.
Kush nga BIK i ka marrë ato? Apo i kanë marrë të gjithë së bashku, duke përfshirë dhe familjarë të afërt të krerëve të BIK-ut?!
Gjithashtu, u deklarua se kallëzimi penal nga ana e BIK është përpiluar para 2 ose 3 muajve. Si përfaqësues ligjor i z. Rexha është me rëndësi të theksoj se kam paraqitur kërkesën për takim me kreun e BIK-ut z. Naim Tërnava dy vite më parë. Për mua mbeten të paqarta arsyet pse kjo kërkesë është heshtur dhe nuk është pranuar.
Bashkësia Islame e Kosovës padrejtësisht e ka suspenduar nga puna z. Bahri Rexha, i punësuar në pozitën e arkatarit në këtë institucion, me pretendimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Kjo ngaqë ata nuk kanë paraqitur asnjë fakt ose provë që mund të justifikojnë këtë vendim të paligjshëm. Po e përsëris – asnjë fakt apo provë të vetme!
Si avokat i z. Bahri Rexha është detyrë e imja që të kërkoj me këmbëngulje drejtësi për të drejtat e tij në rrethanat kur ai akuzohet pa asnjë bazë juridike.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se çdo faturë apo transaksion financiar paraprakisht është nënshkruar nga Kryetari Hetem Sopjani. Si arkëtar, klienti im, z. Rexha nuk ka mundur të lëshojë asnjë faturë pa autorizimin e Kryetarit Sopjani. Sipas hierarkisë, përgjegjësia bie mbi urdhëruesin – it, fakte këto që janë të dëshmuara me nënshkrimin e z.Hetem Sopjani.
Për hir të respektit dhe për të mos dëmtuar imazhin e BIK-ut, më datë 08/06/2023 i kam dërguar kërkesë zyrtare për takim Myftiut Naim Tërnava, me qëllim sqarimin e kësaj çështjeje.
Megjithatë, deri më tani nuk kam marrë asnjë përgjigje! Në këto rrethana, jemi të detyruar të nisim procedurat hetimore për të dëshmuar pafajsinë e klientit tim.
Përveç përpjekjeve tona për takim, edhe mediat e kanë pasur të pamundur ta kontaktojnë. Madje, as sot, ai nuk doli në konferencën për media duke shmangur përgjigjet për shumë çështje.
Z. Tërnava mund të ketë shmangur pyetjet përkohësisht nga opinioni publik, por jo edhe përballë drejtësisë, siç janë:
– A ka pasur mundësi z. Bahri Rexha, në pozitën që ka ushtruar, t’i ndalojë krerët e BIK që të marrin para pa mbulesë nga arka e Bashkësisë Islame të Kosovës?
– Cili është “krimi” që e kryer klienti im, Bahri Rexha, kur nuk ka lejuar keqpërdorimin e buxhetit? (Sqarim: Duke qenë doktor shkencash dhe njohës i mirë i ligjit, ai nuk ka pranuar ta shkelë atë edhe kur kjo është kërkuar prej tij.)
– Nga kjo shumë e të hollave që mungojnë, a kanë përfituar edhe familjarët e krerëve të BIK-ut?!
– Si është e mundur që për të gjitha këto shkelje të kryera nga persona që janë në krye të Bashkësisë Islame të kërkohet përgjegjësi vetëm nga një njeri që ishte hallka e fundit e zinxhirit? Dhe, i cili vetëm ka zbatuar urdhrat nga mbikqyrësit e tij, duke rënë pre edhe e ushtrimit të ndikimit të tyre.
– Kur është bërë auditimi i fundit në BIK, (nëse është bërë ndonjëherë)?
Si dhe pyetja e fundit, por jo më pak e rëndësishme: Pse u amnistua Hetem Sopjani, personi përgjegjës për këto mjete?
Kjo hap dyshimet nëse i njëjti ka vepruar në emrin dhe në llogari të dikujt tjetër. Ose ka qenë në koordinim me personat përgjegjës dhe urë lidhëse drejt përfitimeve të kundërligjshme.
Në gjithë këtë çështje komplekse dhe të ndjeshme, ju siguroj se me vendosmëri do të kërkoj që drejtësia të vihet në vend, duke besuar në pafajsinë e klientit tim, z.Bahri Rexha. ⚖️
P.s Bashkëlidhur si dëshmi e gjeni edhe letrën paralajmëruese të datës 08/06/2023 drejtuar Myftiut Naim Tërnava rreth dyshimeve për keqpërdorimin e fondeve në BIK.






