Propozim për një armëpushim 30-ditor (i paraqitur nga amerikanët, dhe i pranuar nga ukrainasit) dhe garanci se inteligjenca amerikane do të rifillojë bashkëpunimin me Kievin, dhe se mbështetja ushtarake nuk do të ndërpritet.
Takimi në Jeddah të Arabisë Saudite midis delegacionit amerikan, të kryesuar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe atij ukrainas të drejtuar nga Andriy Yermak, shefi i zyrës së presidentit Zelensky, ka hapur mundësinë e një uljes së mundshme të tensioneve në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Por për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, thotë Maurizio Boni, gjeneral i Korpusit të Ushtrisë Italiane dhe analist në portalin “Analisi Difesa”, ka ende shumë aspekte që duhen sqaruar: lëshimet që palët janë të gatshme të bëjnë, roli i Zelenskyt por edhe i britanikëve që kanë nënshkruar marrëveshje me qeverinë e Kievit për kontrollin e disa burimeve strategjike në periudhën e pasluftës.
Mbetet të shihet nëse rusët do ta pranojnë armëpushimin. Ata e kanë përsëritur vazhdimisht se nuk duan zgjidhje që kalojnë përmes negociatave të gjata, por një sqarim mbi arkitekturën e re të sigurisë që garanton interesat e Moskës.
Ukraina e pranon propozimin e amerikanëve për një armëpushim 30-ditor, duke përfituar rinisjen e bashkëpunimit me SHBA-në, të cilin Trump e kishte ndërprerë. Ky duket si një hap përpara në negociata. Por a do ta pranojnë rusët armëpushimin?
Unë besoj se rusët nuk do ta pranojnë armëpushimin. Pas 30 ditësh armëpushimi i menjëhershëm dhe i përkohshëm mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë. Por ky është “Kali i Trojës” që Moska nuk do ta pranojë.
Sepse do të nënkuptonte ngrirjen e konfliktit, dhe do sillte dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë me kërkesën e qeverisë së Kievit. Në atë moment, gjithçka do të ishte gati për t’u përshkallëzuar. Ky është skenar, të cilin rusët duan ta shmangin me çdo kusht.
Pse amerikanët nuk mund të imponohen dot ndaj Moskës?
Nuk besoj se ata e kuptojnë rëndësinë që ka ky aspekt për rusët. Putin, Lavrov dhe Peskov e kanë përsëritur vazhdimisht se një armëpushim s’ka asnjë kuptim për ta, pasi synojnë të diskutojnë mbi shkaqet rrënjësore të luftës, arsyet që e shkaktuan atë. Dhe ata duan një arkitekturë sigurie që garanton para së gjithash interesat e Rusisë. Pse duhet ta pranojnë rusët armëpushimin në këtë moment? Ata po e rimarrin Kurskun, metër për metër.
SHBA-ja dhe Ukraina thonë se bisedimet në Jeddah shkuan mirë. Cila është çështja reale në tavolinë, prioriteti?
Mendoj se janë lëshimet që po u kërkohen të dyja palëve. Ekipi i Trump ka thënë gjithmonë se që të arrihet paqja, të dyja palët duhet të heqin dorë nga diçka. Dhe në prag të bisedimeve, ai bëri disa deklarata shumë të diskutueshme, në të cilat nga njëra anë ishte pajtues, ndërsa nga ana tjetër e kërcënoi Rusinë me sanksione deri në arritjen e marrëveshjes së paqes.
Rubio dhe i dërguari special i Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, e kanë theksuar vazhdimisht se lëshimet që janë të gatshme të bëjnë palët duhet të vendosen në tryezën e negociatave. A bëhet fjalë për lëshimet territoriale?
Në Jeddah, fokusi ishte tek lëshimet që është gati të bëjë Ukraina, të cilat amerikanët presin t’i krahasonin me ato të palës ruse. Por nuk mund jenë vetëm në lidhje me territoret. Madje nga ky këndvështrim, nuk do të ishin as lëshime, sepse rusët thjesht do ta ruajnë atë që kanë pushtuar ushtarakisht. Për më tepër në territore që janë kryesisht rusishtfolëse. Por besoj se nuk ka ende asnjë zhvillim thelbësor. Si amerikanët ashtu edhe rusët, po përpiqen të kuptojnë se çfarë roli duhet të ketë Zelensky.
A do të varet e ardhmja e presidentit ukrainas edhe nga lëshimet që bën?
Për Britaninë, pasuesi i Zelensky është Zaluzhny, ish-kreu i ushtrisë, sot ambasador i Ukrainës në Londër. Britanikët po luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këtë kontekst, por jo domosdoshmërisht në favor të planit të Trump. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara, i besojnë Poroshenkos dhe Julia Tymoshenkos.
Amerikanët po diskutojnë nëse Zelensky duhet të mbijetojë politikisht, apo nëse është më mirë ta detyrojnë të thërrasë zgjedhjet sa më shpejt që të jetë e mundur. Sipas disa zërave, ka presione të forta që ai të dorëhiqet, që negociatat të vazhdojnë me aktorë të tjerë.
A synonte sulmi i fundit i ukrainasve me dronë ndaj Moskës, bindjen e rusëve mbi nevojën e një armëpushim ajror, siç po propozohet nga Kievi?
Shumica e dronëve u neutrealizuan. Në këtë fazë sulme të tilla nuk kanë shumë kuptim, sepse e acarojnë Kremlinin. Por dronët, janë të vetmet armë që kanë tani për tani ukrainasit për të goditur territorin rus.
Përtej zhurmës që e rrethon takimin në Jeddah, a kemi hyrë në thellësi të negociatave?
Jemi vetëm në fillim të tyre. Zelensky po i lutet SHBA-së që të mos e braktisë Ukrainën, dhe po shpreson shumë tek Evropa, e cila ka treguar një mbështetje të pakushtëzuar për Ukrainën, pavarësisht kostos. Çështja qëndron tek ajo që Zelensky i ka premtuar Trumpit për të siguruar mbijetesën e tij politike, dhe mbi të gjitha tek pritshmëritë e SHBA-së.
Ndërkohë Evropa është jashtë gjithë bisedimeve aktuale. Presidenti ukrainas po shfaqet më pajtues ndaj administratës amerikane, pasi e ka kuptuar se në të kundërt dalja e tij nga skena do të ishte çështje ditësh. New York Post raportoi më 22 shkurt se sipas burimeve të afërta me Trump, Zelensky ishte këshilluar të mërgonte në Francë. Sipas një raporti të Politico, SHBA po negocionte me opozitën ukrainase mbi një plan për të larguar Zelenskyn nga pushteti.
Zëdhënësi i Kremlinit Peskov tha se këto nuk janë ende bisedime për paqe. A jemi vetëm në fazën paraprake?
Sigurisht që po. Ka ende një rrugë të gjatë nga armëpushimi deri tek periudha e pasluftës. Për momentin po diskutohet mbi lëshimet, rolin e Zelenskyt por edhe burimet minerale. Por këtu duhet të merret parasysh edhe roli i britanikëve.
Çfarë lidhje kanë ata?
Britanikët kanë marrë përsipër menaxhimin e burimeve kryesore të vendit, me një marrëveshje që mbulon të ardhurat nga portet, infrastruktura energjetike dhe termocentralet bërthamore.
A mund të ketë një përplasje midis SHBA-së dhe Britanisë së Madhe?
Po, sepse ‘pjesën e luanit’ të periudhës së pasluftës do ta marrin kompanitë e mëdha të lidhura me amerikanët dhe anglezët. Më pas vijnë Franca dhe Gjermania, të cilat tashmë ishin të pranishme që para nisjes së konfliktit. Përshtatur nga “Il Sussidiario”






