Një burrë është akuzuar në lidhje me vdekjen e një studenti të kolegjit në Luiziana në SHBA, i cili u rrëzua pasi u godit vazhdimisht me grusht në gjoks gjatë një rituali.
Zyrtarët thanë se Caleb McCray, 23 vjeç, një anëtar i Vëllazërisë Omega Psi Phi, dyshohet se e goditi Caleb Wilson disa herë gjatë ceremonisë së inicimit jashtë kampusit.
Ai u akuzua për mashtrim dhe vrasje nga pakujdesia, raporton BBC.
Wilson ishte një 20-vjeçar, anëtar i grupit të kolegjit dhe student i inxhinierisë mekanike në Universitetin Southern dhe A&M, Baton Rouge, Luiziana.
Avokati i të dyshuarit tha në një deklaratë që klienti i tij meritonte një proces të rregullt dhe kërkoi nga publiku “të mos nxitonte për të gjykuar derisa të dëgjohen të gjitha provat”.
Hazing është ritual i paligjshëm në shumicën e shteteve të SHBA, është një traditë ku njerëzit zotohen për besnikërinë e tyre duke bërë diçka të dhimbshme, poshtëruese ose të rrezikshme.
Sipas policisë, një grup prej disa personash e kanë dërguar Wilson në një spital dhe dyshohet se kanë gënjyer stafin, duke thënë se ai ishte rrëzuar teksa luante basketboll.
Ata u larguan përpara se të vinin autoritetet.
Por, Policia më vonë përcaktoi se informacioni ishte i pasaktë.
McCray dyshohet se e goditi Wilson katër herë në gjoks, pas së cilës ai u rrëzua dhe humbi kontrollin.
Askush që ishte i pranishëm nuk u përpoq të thërriste ndihmë emergjente, tha policia.
Wilson më vonë u shpall i vdekur në spital.
Rezultatet e autopsisë nuk gjetën asnjë traumë të rëndë në trupin e tij, përveç një mavijosje të vogël në anën e djathtë të kraharorit të tij, sipas dëshmisë.
Raporti gjithashtu vuri në dukje se hetuesit nuk gjetën asnjë tregues se McCray kishte për qëllim të “shkaktonte vdekjen ose dëmtimin e madh trupor…”.
Prokurorja e distriktit të East Baton Rouge, Hillar Moore, tha se dy persona të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar publikisht, do të akuzohen për mashtrim.






