Kryetari i enklavës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë e quajtur Republika Serbe, Millorad Dodik, ka mbështetur Presidentin e SHBA, Donald Trump dhe ka thënë se Republika Serbe do ta ndjekë fjalimin e tij në Kongres me vëmendje të madhe, pasi shënon një pikë kthese në politikën amerikane dhe botërore.
Politika e tij e një shteti të fortë, mbrojtjes së interesave kombëtare dhe respektimit të sovranitetit në mbarë botën tregon se po vjen koha e së vërtetës dhe e një rendi më të drejtë ndërkombëtar”, ka shkruar Dodik në rrjetin social “X”.
Ai ka thënë se “Trump është një lider që ka dëshmuar se nuk pajtohet me modelet e imponuara të elitave globaliste dhe se lufton për Amerikën, por edhe për një botë në të cilën vendet do të vendosin vetë për fatin e tyre”.
“Mesazhi i tij për qeverisjen e përgjegjshme dhe forcimin e shteteve kombëtare ka jehonë edhe mes atyre që kanë vuajtur prej vitesh nga padrejtësia e inxhinieringut politik nga qendrat e fuqishme”, ka thënë Dodik.
Ai ka shtuar se një Amerikë e fortë e udhëhequr nga Trump sjell shpresë për të gjithë ata “që besojnë në respektimin e ligjit ndërkombëtar”.
“Një Amerikë e fortë, e udhëhequr nga një lider që mban fjalën dhe dinjitetin kombëtar, sjell shpresë për të gjithë ata që besojnë në lirinë dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar. Republika Serbe mbetet në përputhje me parimet dhe vlerat e saj, të cilat bazohen në lirinë, të drejtën e njerëzve për të vendosur dhe ruajtjen e identitetit të tyre”, ka pretenduar Dodik në servilizmin e tij, me shpresë se Trump do t’iu heqë sanksionet atij dhe nacionalistëve tjerë serbë.








