Ka përfunduar samiti urgjent i liderëve të Europës, i thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron në Pallatin Elysee. Nga takimi disa orësh i Macron, në të cilin morën pjesë, Giorgia Meloni e Italisë, Olaf Scholzi i Gjermanisë, Keir Starmer i Britanisë, Pedro Sanchez i Spanjës dhe lider të tjerë duket se u bë një “vrimë e madhe në ujë”.
Vendet evropiane u përplasën për dërgimin e trupave në Ukrainë, ndërsa filluan një takim krize që synonte të arrinte një konsensus se si t’i përgjigjen bisedimeve të paqes të Presidentit të SHBA Donald Trump me Rusinë.
Polonia dhe Spanja shprehën ngurrim për të dërguar forcat paqeruajtëse në vendin e shkatërruar nga lufta, disa orë pasi Britania ofroi të vendoste “çizmet në tokë” ukrainase.
Nga ajo çfarë deklaruan disa nga liderët të cilët ishin pjesë e takimit urgjent, u duk qartë se Europa nuk ka guximin t’i dalë kundër vullnetit të Amerikës dhe presidentit të saj Donald Trump. Pavarësisht se ky i fundit ka vendosur t’i përjashtojë nga tryeza e bisedimeve për paqen e Ukrainës, Europa ka vendosur të jetë bashkëpunuese me SHBA-në.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz
Siç deklaroi edhe vetë kancelari gjerman Olaf Scholz, pas takimit urgjent në Pallatin Elysee në Francë, nuk duhet të ketë “asnjë ndarje” midis SHBA-së dhe Evropës për përgjegjësinë për sigurinë e Ukrainës.
Scholz tha më tej se mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë, teksa shtoi se Ukrainës nuk mund t’i imponohet asnjë diktat, por nuk dha argumente se s’i mund të ndalohej imponimi i paqes ndaj Ukrainës.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha se “Evropa do paqe”, por një që ruan parimet mbi të cilat bazohet rendi ndërkombëtar.
“Paqja e drejtë për Ukrainën dhe arkitektura evropiane e sigurisë janë të pandashme,” tha ai.

Kryeministri polak, Donald Tusk
Edhe kryeministri polak, Donald Tusk tha se nuk mund të ketë vendime të imponuara, por shtoi se ishte e rëndësishme të harmonizohen pikëpamjet e të gjithë aleatëve.
Ai gjithashtu thekson rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aleatëve të NATO-s, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, për të folur me një zë për këtë çështje.
Tusk tha se takimi nuk ka ndryshuar asgjë në pikëpamjen polake, por theksoi rëndësinë e mbështetjes polake në logjistikë dhe mbështetje më të gjerë humanitare për Ukrainën.
“Nëse është e mundur të ofrohen garanci sigurie përmes pranisë, me SHBA-në, me NATO-n, atëherë Polonia do të jetë aktive në mënyra të ndryshme, por unë nuk e parashikoj dërgimin e trupave polake në Ukrainë. Polonia dhe vendet në krahun lindor janë në një farë kuptimi në vijën e frontit, në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën. … Kur bëhet fjalë për Poloninë, Ballkanin, ne kemi nevojë për investime evropiane dhe aleate në sigurinë tonë”, thotë ai.
Më tej kryeministri polak shtoi se nëse BE-ja duhet të forcohet dhe të jetë në gjendje të mbrohet vetë në mënyrë që t’iu japë garanci vendeve si Ukraina.
“Nëse BE-ja nuk është në gjendje të mbrohet, atëherë pse duhet t’u japë garanci të tjerëve? Veçanërisht pasi këto do të ishin garanci boshe gjithsesi. Ne duam që çdo detyrim i ardhshëm ndaj Evropës të jetë serioz. Ndodh që Ukraina kishte garanci të ndryshme në të kaluarën, duke filluar nga memorandumi i Budapestit”, tha ai, raporton “The Guardian”

Kryeministri britanik, Keir Starmer
Kryeministri britanik, Keir Starmer nga ana tjetër pas takimit tha se çdo garanci që i ofrohet Ukrainës duhet të mbështetet nga SHBA-ja, pasi sipas tij, kjo është “mënyra e vetme” për të penguar në mënyrë efektive Rusinë nga sulmet e ardhshme.
Më tej Starmer përsërit se ai është i përgatitur të marrë në konsideratë angazhimin e forcave britanike në tokën Ukrainase së bashku me të tjerët, një deklaratë që shkon në vijat e përgjithshme të propozuara nga Trump.
Kryeministri britanik tha se përgjigja evropiane është në fazat e hershme dhe ai synon ta diskutojë më tej me presidentin amerikan Trump gjatë vizitës së tij në Uashington DC javën e ardhshme.
“Në këtë moment, ne duhet të njohim epokën e re në të cilën jemi, duke mos u kapur pa shpresë pas komoditeteve të së kaluarës. Është koha që ne të marrim përgjegjësinë për sigurinë tonë, për kontinentin tonë”, tha Starmer, raporton “The Guardian”.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen tha se ishte kundër një armëpushimi që nuk do të ishte i qëndrueshëm dhe thjesht do t’i jepte Rusisë kohë për t’u rigrupuar dhe për të sulmuar Ukrainën ose një vend tjetër evropian.
“Rusia po kërcënon të gjithë Evropën tani, për fat të keq”, thotë ajo, duke shtuar se nuk ka asnjë shenjë se Rusia dëshiron paqen.
Frederiksen shtoi gjithashtu se asnjë marrëveshje paqeje e qëndrueshme nuk mund të arrihet pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës në bisedime. Më tej ajo theksoi se evropianët duhet të fokusohen në atë që mund të bëjnë në përgjigje të bisedimeve të SHBA-së me Rusinë.
“Gjëja më e rëndësishme këtu dhe tani është që ukrainasit të marrin më shumë nga ajo që u nevojitet në mënyrë që të mos e humbin këtë luftë dhe të jenë në pozicionin më të mirë të mundshëm”, tha ajo pas takimit.
Ajo gjithashtu përsërit thirrjet për shpenzime më të larta të mbrojtjes dhe gatishmëri ushtarake, por nuk jep një përgjigje të qartë për spekulimet e mediave rreth planeve për të sjellë shpenzimet e Danimarkës deri në 3% të PBB-së

Kryeministri holandez, Dick Schoof
Kryeministri holandez Dick Schoof u tha mediave të vendit se Evropa e mori për zemër mesazhin nga SHBA se duhet të investonte më shumë në aftësitë e saj të mbrojtjes.
Por ai gjithashtu theksoi se liderët evropianë ishin të vendosur të punonin ngushtë me SHBA-në për t’u siguruar që çdo zgjidhje të jetë e qëndrueshme, tha ai në komentet e raportuara nga De Telegraaf.
Mbledhja urgjente e Macron për t’iu përgjigjur Trump nuk solli asgjë të vlefshme, veçse tregoi “gjunjëzimin” e Europës përballë presidentit të SHBA-së.








