Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka dhënë dorëheqjen. Pas protestave masive të zhvilluara nga studentët në gjithë Serbinë, Vuçeviç ka dhënë dorëheqjen, raporton media serbe “Novosti”.
Lëvizje në kabinetin qeveritar u paralajmëruan dje në një konferencë të jashtëzakonshme nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha se do të plotësojë kushtet e studentëve.
“Kur mora një mandat nga Presidenti i të Republikës në fund të prillit vitit të kaluar, kisha një ndjenjë krenarie, por edhe përgjegjësinë që vjen me atë pozicion. E kam parë edhe veten si pjesëtar i politikës së vazhdimësisë, që vazhdojmë në të njëjtat rrugë. Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë si qeveri në nëntë muajt e fundit”, tha Vuçeviç në fjalimin e tij të dorëheqjes.
Ai i quajti protestat e studentëve një projekt i dizajnuar nga jashtë nga një dorë e padukshme që sipas tij kërkon destabilizimin e Serbisë.
“Ajo që lë pasoja të thella në shoqëri është një ndarje e rëndë. Është absolutisht i dizajnuar nga jashtë, i projektuar poshtër, i goditur në arsim. Keqkuptim i njëri-tjetrit, argumente dhe konflikte të panumërta në gjithë Serbinë. Sado që bënim thirrje për qetësimin e pasioneve, diçka ndodhte gjithmonë sipas ndonjë skenari të keq. Dukej sikur ndonjë dorë e padukshme kishte krijuar një incident të ri dhe kishte krijuar tension në shoqëri”, tha Vuçeviç.
Kujtojmë se rrëzimi i tendës në stacionin e trenit në Novi Sad, ku u vranë 15 persona, nxiti një valë protestash nga ana e studentëve të cilët për javë me radhë bllokuan qendrën e Beogradit.
Ditët e fundit studentët nisën përshkallëzimin e protestës duke e kthyer atë në mosbindje civile dhe bllokuar rrugët kyçe të vendit, gjë që detyroi Vuçiçin të dilte dhe të pranonte të diskutonte për kushtet e tyre.








