Pas rikthimit të tyre në pushtet pas Revolucionit Francez dhe sundimit të Napoleonit, thuhet se dinastia mbretërore e Burbonëve nuk kishte mësuar asgjë por as kishte harruar gjë. Ne duhet të pyesim sot, nëse diçka e ngjashme mund të thuhet për presidentin Donald Trump me politikën e tij ekonomike që synon uljen e deficitin tregtar.
Që në ditën e tij të parë në detyrë, ai tregoi çdo shenjë të planifikimit të politikave të njëjta për të reduktuar deficitin tregtar, të cilat dështuan keqazi në mandatin e tij të parë. Një nga leksionet që Trump nuk e mësoi dot në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, është se deficiti tregtar, është rezultat i asaj që vendi shpenzon më shumë sesa prodhon.
Ose, siç na mësoi dikur Keynes, është rezultat i një vendi që kursen më pak se sa investon. Për sa kohë që investon më shumë sesa kursen, do të ketë deficit tregtar. Aritmetika ekonomike mbetet e vërtetë, pavarësisht se sa të larta i vendos një vend nivelin e tarifave mbi importet.
Duke mos e kuptuar dot këtë parim themelor ekonomik në mandatin e tij të parë, Trump mendoi se rritja e tarifave, ishte një rrugë e sigurt për të reduktuar deficitin tregtar. Në këtë kuadër, ai vendosi tarifa në masën 10-25 për qind për importet me vlerë rreth 380 miliardë dollarë nga Kina, përfshirë një tarifë prej 25 për qind ndaj importeve të çelikut, dhe një tarifë prej 10 për qind për aluminin.
Megjithatë, pavarësisht këtyre tarifave, deficiti tregtar i SHBA u rrit me 40 për qind, nga 480 miliardë dollarë në 2016, në 680 miliardë dollarë në 2020-ën. Arsyeja kryesore për zgjerimin e deficitit, ishte se në të njëjtën kohë që rriti tarifat, Trump miratoi në vitin 2017 një ulje të taksave në shkallë të gjerë, në formën e Aktit të Uljes së Taksave dhe Vendeve të Punës (TCJA).
Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit, gjatë viteve që pasuan, ajo pjesë e legjislacionit e rriti deficitin buxhetor me 1 deri 2 trilion dollarë. Nga këndvështrimi i bilancit tregtar, ulja e taksave nga Trump ndikoi si në uljen e nivelit të kursimeve të vendit, siç reflektohet edhe në zgjerimin e deficitit buxhetor, ashtu dhe në rritjen e nivelit të investimeve, duke u ofruar korporatave lehtësi tatimore.
Ndaj nuk është çudi që deficiti tregtar u zgjerua në mandatin e parë të Trump. Tani ai po propozon të përsërisë kombinimin e tij të mëparshëm të rritjes së tarifave me uljen taksave. Gjatë fushatës, u angazhua të vendosë një tarifë importi prej 60 për qind ndaj Kinës, dhe 10-20 për qind për pjesën tjetër të partnerëve tanë tregtarë.
Ndërkohë, javës që kaloi njoftoi se më 1 shkurt do të vendosë një tarifë prej 10 për qind ndaj Kinës dhe një tjetër prej 25 për qind për Kanadanë dhe Meksikën. Ai ka urdhëruar gjithashtu një rishikim të praktikave të padrejta tregtare të Meksikës, Kanadasë dhe Kinës, me sa duket si një prelud për rritjen e mëtejshme të tarifave.
Duke u shfaqur i pa shqetësuar nga fakti se ka trashëguar një deficit buxhetor prej rreth 6.5 për qind e PBB-së, dhe një borxh kombëtar shumë më të lartë se 100 për qind të PBB-së, Trump po propozon zgjatjen e TCJA dhe eliminimin e taksave mbi të ardhurat mbi sigurimet shoqërore.
Sipas Komitetit për Buxhetin e Përgjegjshëm, gjatë dekadës së ardhshme, këto shkurtime taksash do ta shtojnë me 7.75 trilion dollarë deficitin buxhetor. Kjo ka ngritur pikëpyetje serioze në lidhje me rreziqet që paraqet plani ekonomik i Trump për ekonomitë e SHBA-së dhe botës.
Së pari, është e sigurt se këto politika do të sjellin një zgjerim të mëtejshëm të deficitit tregtar, pasi ato bëjnë që kursimet e qeverisë të bien duke nxitur investimet. Së dyti, duhet të pritet që ato ta vështirësojnë misionin e Rezervës Federale për të ulur inflacionin, duke rritur koston e brendshme të importeve.
Së treti, tarifat e larta që po mendohen të vendosen, do të pasohen nga veprime hakmarrëse nga partnerët tanë tregtarë, që mund të na çojnë drejt politikave të viteve 1930, të cilat ishin shumë shkatërruese për zhvillimin ekonomik ndërkombëtar.
Së katërti, ekziston një rrezik shumë real që tarifat e Trump t’i futin në recesion ekonomitë kineze dhe evropiane tashmë në vështirësi. Dhe kjo nga ana tjetër, mund të ndikojë negativisht në sektorin tonë të eksportit, sistemin tonë financiar dhe përfitimin e korporatave tona.
Për të gjitha këto arsye, duhet të shpresojmë që tani që ka marrë detyrën, Trump do të rishikojë premtimet e tij të fushatës në raport me rritjen agresive të tarifave dhe uljes së taksave. Mjerisht, gjykuar nga veprimet e tij gjatë ditëve të fundit, s’ka asnjë shenjë se ai do ta bëjë këtë, pa pasur një lloj krize në tregun financiar.
Shënim: Desmond Lachman, anëtar i Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve. Më herët ka qenë zëvendësdrejtor në Departamentin e Zhvillimit dhe Rishikimit të Politikave në Fondin Monetar Ndërkombëtar.








