Ditët e fundit ka shkaktuar shumë debate, propozimi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për të negociuar blerjen e Grenlandës nga Danimarka. Kjo gjë ishte propozuar tashmë nga Trump që në vitin 2019, në kohën e mandatit të tij të parë.
Oferta është ri-propozuar në prag të inaugurimit të ri, kur Trump ka emëruar ish-menaxherin kryesor të PayPal, Ken Howery, dhe njëherazi ish-ambasadorin e tij në Suedi, si ambasadorin e ri në Danimarkë. Lëvizja e Trump mund të duket si një ekstravagancë, një lëvizje nga një miliarder që e do gjithmonë qendrën e vëmendjes dhe jo nga një burrë shteti.
Por fjalët e Trump tregojnë leximin, sigurisht me thjerrëzat e manjatit, të një prioriteti të qartë gjeostrategjik për SHBA-në: mbrojtjen e sigurisë së Arktikut nga ndikimet e jashtme, ruse dhe kineze. Grenlanda, ishulli më i madh në botë, është sot një vend i lidhur me Mbretërinë e Danimarkës, dhe falë saj garantohet nga sfera e sigurisë e NATO-s.
Vëmendja e tij drejt Arktikut, e bën Grenlandën të ketë një rol themelor për monitorimin e trafikut të anijeve dhe aseteve ushtarake në Atlantikun e Veriut, dhe nëpër rrugët polare në të cilat roli o SHBA-së kërcënohet nga Pekini dhe Moska.
Baza më veriore e hapësirës ajrore Pituffik e menaxhuar nga SHBA-ja, ka operuar në Grenlandë që nga viti 1967, ku Skuadroni i 12-të i Paralajmërimit Hapësinor, tani pjesë e Forcës Hapësinore, ka për detyrë të analizojë kërcënimet e mundshme satelitore dhe balistike.
Për më tepër, qeveria lokale e Nuuk është nën vëmendjen e SHBA-së për praninë e konsoliduar të investimeve kineze në sektorin e minierave, të cilat çuan në investimin e 2 miliardë dollarëve nga Pekini midis viteve 2012-2017, duke e ndërtuar bazën për një kapital të akumuluar, të aftë të gjenerojë direkt ose indirekt 11.6 për qind të PBB-së.
Makthi strategjik i SHBA-ve, është se në të ardhmen një Grenlandë autonome e mbështetur nga Kina, mund të kërkojë pavarësinë e plotë nga Kopenhagen dhe të jetë në krah të Republikës Popullore, duke ia mohuar SHBA-së ndikimin në Arktik, dhe duke u pozicionuar në rrugën më të shkurtër që lidh Evropën dhe Amerikën e Veriut.
Në thelb, ekziston frika e një të çare nordike të “Doktrinës Monroe”, me të cilën SHBA-ja pretendon dëshirën e saj për të mos pasur asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë në kontinentin amerikan, degë e të cilit është Grenlanda. As qeveria lokale e kryeministrit Mute Egede, nuk ka qëndruar pa lëvizur.
Grenlanda nuk ka një politikë autonome të mbrojtjes dhe sigurisë. Ajo ia ka deleguar atë tërësisht Kopenhagës, e cila nën drejtimin e kryeministres socialdemokrate Mette Frederiksen, është lidhur që nga viti 2019 gjithnjë e më fort me SHBA-në dhe NATO-n.
Megjithatë, në fillim të këtij viti, qeveria grenlandeze publikoi një strategji të re në lidhje me vizionin e tij për çështjet gjeopolitike dhe të sigurisë, dhe rolin e ishullit të madh shumë pak të populluar, në një botë konkurruese. Siç raporton Instituti Arktik “strategjia sugjeron qartë se Grenlanda duhet të përafrohet me Perëndimin, që është një deklaratë e re dhe mëse e qartë, që ka fituar rëndësi veçanërisht pas veprimeve ruse në Ukrainë në vitin 2022”.
Megjithatë në të njëjtën kohë “një ideal pacifist dhe idetë e detantës, theksohen në të gjithë strategjinë, që shihet shpesh si pjesë e një tradite kulturore të kërkimit të vazhdueshëm të paqes” të shumicës inuite të vendit. A do të mjaftojë kjo për ta kënaqur Trumpin, dhe për ta nxitur atë të heqë dorë nga ideja e blerjes?
Në Grenlandë shpresojnë që po. Ndërsa në Kopenhagë, qeveria daneze përsërit se territori nuk mund të shitet, në Uashington po e shqyrtojnë me kujdes këtë çështje. Përtej gjeopolitikës, ka diçka për të reflektuar mbi thesarin e jashtëzakonshëm të lëndëve të para, nga nafta tek mineralet e rralla që zotëron Grenlanda, të cilave kompanitë perëndimore ia kanë vënë shpeshherë syrin me shumë lakmi.
A është edhe kjo pjesë e llogaritjeve që bën Trump? Ka të ngjarë që po, por lista e blerjeve të territoreve nga SHBA-ja është e gjatë. Në vitet 1803 dhe 1819, përkatësisht nga Franca e Napoleon Bonapartit dhe Mbretëria e Spanjës, SHBA-të blenë territoret e Luizianës dhe Floridës.
Në vitin 1867 ishte radha e Alaskës, e blerë nga Perandoria Ruse. Ndërsa në 1903 u ble Panamaja, një shtet, pavarësinë e të cilës Uashingtoni e kishte mbështetur, teksa bleu nga Kuba zonat e kanalit aktual dhe bazën e Guantanamos. Ndërsa në vitin 1917, ishte Danimarka ajo që ia dorëzoi SHBA-së Ishujt e Virgjër në Detin e Karaibeve.
Në çdo rast, këto zgjerime territoriale përkonin me një rritje të projeksionit gjeostrategjik të SHBA-së. Por sot ajo botë nuk ekziston më, dhe SHBA-ja duhet të mendojë për mjete të tjera për të ushtruar udhëheqjen e saj.
Në lidhje me Grenlandën, ndoshta duhet menduar se Uashingtoni mbetet ende fuqia referuese për sa i përket projeksionit ushtarak, ekonomik, tregtar, teknologjik, shkencor, ajror dhe oqeanografik në ishullin më të madh në botë. Dhe kjo mjafton për ta rikthyer atë brenda zonës së saj ndikimit.









