Kush e sabotoi paqen midis Moskës dhe Kievit?

Një dëshmi e re hedh dritë mbi prishjen e negociatave të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës në pranverën e vitit 2022, kur një armëpushim dukej thuajse një punë e mbaruar. Jean-Daniel Ruch, në atë kohë ambasador i Zvicrës në Turqi, konfirmoi se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, me qeverinë konservatore të Boris Johnson që luante një rol qendror, i sabotuan bisedimet e Stambollit, të motivuara nga qëllimi për ta “dobësuar Rusinë”.

Sipas Ruch, dhe siç është raportuar tashmë edhe nga burime të tjera diplomatike, në marsin e vitit 2022, 6 javë pas fillimit të luftës në shkallë të plotë midis të dyja vendeve, palët ishin shumë afër një marrëveshjeje për paqe.

Ukraina ishte gati të hiqte dorë nga anëtarësimi në NATO, duke ruajtur neutralitetin e saj, në këmbim të mbajtjes së pjesës më të madhe të territorit të saj, përveç Krimesë. Negociatat u mbështetën nga kryeministri izraelit Naftali Bennett dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Por siç thotë ish-ambasadori zviceran “amerikanët dhe aleatët e tyre britanikë i sabotuan negociatat”, duke besuar se ishte “shumë herët për t’i dhënë fund luftës”.

Një vendim, i etiketuar si “tepër imoral” nga Ruch, dhe që pati pasoja shkatërruese. “Ishte e qartë se vazhdimi i konfliktit do të çonte në një përshkallëzim, me një numër viktimash që do të shkonte në të paktën dhjetëra, në mos qindra mijëra”-shprehet ai.

Dëshmitë që konfirmojnë rolin negativ të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe

Më 9 prill 2022, Boris Johnson mbërriti në Kiev në një vizitë të paplanifikuar. Sipas disa burimeve, kryeministri i atëhershëm britanik i kërkoi presidentit ukrainas Zelensky të mos pranonte kompromise me Moskën. Vizita u pa si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë për të bllokuar çdo lloj mundësie për arritjen e një marrëveshje, duke e forcuar linjën e ashpër kundër Rusisë.

Ekspertë dhe diplomatë të tjerë kanë konfirmuar rolin qendror të “BoJo” në ndërprerjen e bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës. Këtu përfshihet Michael von der Schulenburg, ish-ndihmës Sekretari i Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Ai ka theksuar në disa raste se marrëveshja ishte e pashmangshme, dhe se dështimi i bisedimeve ishte orkestruar për arsye gjeopolitike. Po kështu mendon edhe Hajo Funke, profesor i shkencave politike në Freie Universität në Berlin, që ka përshkruar në detaje se si presioni i Perëndimit, pati një rol vendimtar në prishjen e negociatave.

Këtë tezë e konfirmon edhe Harald Kujat, ish-komandant i Forcave të Armatosura Gjermane dhe NATO-s, që thekson se braktisja e negociatave përbën një fatkeqësi për sigurinë evropiane dhe një tradhti ndaj Ukrainës. Pastaj është edhe dëshmia e ambasadorit ukrainas Oleksandr Chalyi, që gjatë një aktiviteti publik në Gjenevë të Zvicrës, kujtoi se si Kievi dhe Moska ishin “afër dhënies fund të luftës me një zgjidhje paqësore”.

Vetë Vladimir Putin ka deklaruar se “u përpoq të bënte gjithçka që ishte e mundur për të përfunduar një marrëveshje me Ukrainën” dhe “donte vërtet të arrinte një zgjidhje paqësore”. Dhe në Stamboll të dyja palët “arritën të gjenin një kompromis të vërtetë”.

Siç tregoi më vonë Davyd Arakhamiia, një nga këshilltarët kryesorë të liderit ukrainas: ”Pas rikthimit tonë nga Stambolli, Boris Johnson vizitoi Kievin, dhe na tha se ne nuk duhet të nënshkruajmë asgjë me rusët dhe të vazhdojmë të luftojmë!”.

Gjatë vizitës së tij në Ukrainë, Johnson deklaroi: ”Putin është një kriminel lufte, ai duhet të vendoset nën presion!”. Dhe 3 ditë pasi kryeministri i atëhershëm britanik u largua nga Kievi, Putin deklaroi publikisht se bisedimet me Ukrainën ishin ndërprerë papritur. Me sa duket diçka kishte ndodhur, siç konfirmohet edhe nga burime qeveritare.

Dëshmia e ish-kryeministrit izraelit

Si të mos mjaftonte kjo, ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett ka zbuluar në një intervistë të publikuar në kanalin e tij në YouTube, se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë “bllokuan” përpjekjet e tij për ndërmjetësim midis Rusisë dhe Ukrainës në fazat e hershme të konfliktit.

Më 5 mars 2022, Bennett shkoi më Moskë për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin. Në intervistë, ai përshkroi përpjekjet e ndërmjetësimit që udhëhoqi midis Putinit dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, duke vënë në dukje se si këto përpjekje u koordinuan me Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Bennett, të dyja palët kishin rënë dakord për lëshime të rëndësishme. Nga pala ruse u eliminua kërkesa për “denazifikimin” si një kusht për armëpushim, që sipas Bennett nënkuptonte largimin e Zelenskyt nga pushteti. Gjatë takimit në Moskë, Putin e siguroi Bennett se nuk do të tentonte të vriste presidentin ukrainas.

Mungesa e marrëveshjeje

Më 29 mars 2022, gjatë një takimi në Stamboll, Ukraina dhe Rusia ishin shumë pranë një marrëveshjeje paqeje, e cila do të kulmonte me një deklaratë të përbashkët. Draft-marrëveshja, e parë nga ekspertët e “Foreign Policy”, parashikonte një Ukrainë “neutrale dhe jo bërthamore, e angazhuar të hiqte dorë nga aleancat ushtarake dhe prania e bazave apo trupave të huaja në territorin e saj.

Garantuesit e sigurisë së Ukrainës, përfshinin anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (përfshirë Rusinë), së bashku me Kanadanë, Gjermaninë, Izraelin, Italinë, Poloninë dhe Turqinë. Garantuesit do të ofronin ndihmë në rastin e një sulmi ndaj Ukrainës, duke përfshirë masa të tilla si krijimi i një zone të ndalim-fluturimit dhe ndërhyrjet e drejtpërdrejta në terren.

Marrëveshja parashikonte edhe mbështetje diplomatike për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Por pavarësisht atij përparimi, marrëveshja nuk u realizua. Dhe falë një dëshmie tjetër, sot i dimë arsyet.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit