Një Ali Khamenei i zakonshëm në retorikë, por më i drobitur fizikisht, komentoi rënien e Bashar Al-Assad në Siri me këto fjalë: “Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se ajo që ndodhi në Siri, është produkt i një plani të përbashkët të Amerikës dhe sionistëve. Është e vërtetë, që edhe një shtet në kufi me Sirinë ka pasur dhe ka një rol të qartë, këtë mund ta shohin të gjithë. Por të parët ishin aktorët kryesorë!”.
Diktatorët nuk do ta kuptojnë asnjëherë popullin e tyre, të cilin e shfrytëzojnë në momentet kur mund të mbështeten tek besimi i tyre. Për planet e tyre të çmendura, diktatorët i nxjerrin njerëzit në rrugë, i emocionojnë, dhe më pas i kthejnë në mish për top.
Por kur këta të fundit i braktisin dhe e përmbysin rendin e gjërave, diktatorët duken sikur habiten dhe i drejtohen verbërisht gjetjes së fajtorëve. Edhe në demokraci, kur ka një krizë, kur premtimet boshe elektorale nuk funksionojnë më, dhe kur votuesit bojkotojnë qendrat e votimit, reflektimi i politikanëve nuk shkon përtej një ndjese të pakuptimtë dhe ripërsëritjes së premtimeve.
Në fjalimin e tij të regjistruar më 11 dhjetor, Khamenei pretendoi se Siria ishte thjesht vendi i radhës ku ndodhi një ndryshim i regjimit. Ai shtiret sikur nuk e kupton se roli i Sirisë së Assadit për regjimin e tij ishte unik dhe i pazëvendësueshëm.
Bën sikur nuk e kupton se rrëzimi i një diktatori të tmerrshëm dhe i një dinastie brutale, ngjall gëzim të vërtetë tek njerëzit dhe për shkak të rolit të luajtur nga Assad, ky gëzim është shtrirë përtej kufijve të Sirisë. Ajo që do ndodhë tani në Siri do të varet shumë nga sirianët.
Por edhe nga vendet demokratike, ku analistë cinikë po i shohin rebelët me një dyshim të tepruar, dhe tashmë u vjen keq për stabilitetin e pretenduar që garantohej nga një diktator gjakatar, i cili sapo është arratisur nga vendi. Po ashtu Khamenei, bën dikur ka harruar se pas pushtimit absurd amerikan të Irakut në marsin e vitit 2003, që cili ua dorëzoi vendin Mullahëve të Mesopotamisë, regjimi i tij kishte qasje tokësore në Liban dhe Mesdhe pikërisht përmes Sirisë së Assadit.
Rritja eksponenciale e Hezbollahut pas atij momenti ,është një fakt që lihet pas dore nga shumë analistë, madje edhe vetë Khameneit. Udhëheqja e regjimit teokratik, nuk e pranon se që nga viti 2011, kur Pranvera Arabe mbërriti edhe në Siri, mbi 50 miliardë dollarë asete iraniane janë shpërdoruar për ta shtypur atë.
Ajatollahu harron se ushtria e Assadit nën komandën e Pasdaranit të tij i bombardoi sirianët, duke hedhur bombat-fuçi plot me materiale shpërthyese dhe armë kimike mbi kokat e tyre të gjora, nën sytë e mbyllur të administratës së Barack Obamës, e cila ishte në kërkim të një marrëveshjeje djallëzore me Teheranin mbi programin bërthamor.
Udhëheqësi i regjimit të mullahëve duhet të mburret se gjatë viteve 2011-2015, Pasdarani i tij, së bashku me Hezbollahun dhe dhjetëra mijëra luftëtarë të micilive pranë tij, masakruan 500 mijë sirianë dhe shkaktuan 13 milionë refugjatë.
Ali Khamenei harron të thotë se gjatë përparimit të rebelëve sirianë nuk pati rezistencë, as nga ushtria dhe as nga populli sirian, dhe aq më pak nga alevitët, grupimit i të cilit i përket edhe familja Assad, dhe të cilët me 10 për qind të popullsisë mbanin 70 për qind e pushtetit në Siri që nga viti 1971.
Diktatorët janë të dënuar të mos kenë kujtesë. Ata janë të dënuar të kenë iluzione, të dëgjojnë fjalët e një Khamenei të moshuar dhe të lodhur! Para rënies së tij, Bashkimi Sovjetik ishte tërhequr me trup nga Afganistani, dhe me Mikhail Gorbachevin në krye u detyrua të braktiste Berlinin Lindor, ku ishte vendosur që nga 9 maji i vitit 1945.
Regjimi i Khameneit është shumë më i brishtë pas rrëzimit të Assadit. Efekti i ndryshimit në Siri, do të arrijë me siguri edhe në Jemenin e drejtuar nga rebelët Huthi, dhe do të dëmtojë dhjetëra mijëra milicë të Iranit në Irak. Efekti i rrëzimit të Assadit do ta godasë fort teokracinë e Teheranit.
Një regjim shumë ambicioz që i ka shpallur luftë popullit të tij, vendeve arabe, SHBA-së dhe Evropës dhe që gjithashtu dëshiron të shkatërrojë Izraelin: nëse ky nuk është një iluzion i thjeshtë dhe mizor, atëherë çfarë mund të quhet? Ne e kemi thënë më herët, se me sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nëpërmjet Hamasit, regjimi iranian kishte kafshuar më shumë se sa duhej.
Përveç vrasjes dramatike të dhjetëra mijëra grave dhe fëmijëve, ai shkaktoi goditje të rënda ndaj Hamasit dhe Hezbollahut dhe e rrëzoi regjimin e Assadit pas gjysmë shekulli sundim në Siri. Sot regjimi i mullahëve, vështirë se do të jetë në gjendje të shpallë luftë dhe të sfidojë gjysmën e botës pa u tallur.
Sot regjimi teokratik nuk është as tigër letre, por një lepur i lagur. Sot bota, edhe ajo pjesë e verbër, e shurdhër dhe memece, e ka kuptuar se forca e pretenduar nga regjimi iranian është një blof. Sepse regjimi i Velayat-e Faghih, për shkak të natyrës së tij shpellare, nuk ka mundur të krijojë marrëdhënie me qytetarët e tij, me vendet fqinje dhe me askënd tjetër në botë.
Me një ekonomi në kolaps, me tërë popullin e tij kundër tij, me një rezistencë të mirë-organizuar, me gjithë përbuzjen e atyre që kanë heshtur dhe madje kanë mbështetur aventurizmin e tij të egër, regjimi i mullahëve nuk do të mund të shpëtojë dot kurrë nga fati tragjik.
Fati i diktaturave është i shkruar në dinjitetin e njeriut. Fati i diktatorëve në Iran, është shkruar në fisnikërinë e një populli të lashtë, grave dhe burrave, që edhe në mijëvjeçarin e tretë e bënë rezistencën arsyen e tyre të jetës.“Opinione.it”









